BallinaPertej4 javë pas nisjes së mësimit, ende nuk ka mësues ndihmës për klasat e para dhe të dhjeta

4 javë pas nisjes së mësimit, ende nuk ka mësues ndihmës për klasat e para dhe të dhjeta

Fëmijët me nevoja të veçanta të klasave të para dhe atyre të dhjeta ende nuk kanë një mësues ndihmës, edhe pse jemi në fundin e javës së katërt të nisjes së procesit të rregullt mësimor. Kjo u konfirmua për Faktoje nga Eglantina Bajrami, përfaqësuese e klubit kombëtar të prindërve të fëmijëve me spektrin autik dhe PAK. Nga ana tjetër, nga të dhënat që ne siguruam nga Shërbimi Social Shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar rezulton se mesatarisht një mësues ndihmës asiston 6.2 fëmijë me nevoja të veçanta, edhe pse rregulli është 2-3 fëmijë.

……………………………………..

“Do të kemi 940 mësues ndihmës, nga 700 këtë vit. Janë shumë më tepër se gjysma e atyre që na nevojiten. Kemi ambicie që të kemi mësues ndihmës për çdo fëmijë me nevoja të veçanta”, deklaroi kryeministri Edi Rama në nëntor të 2018-s, gjatë prezantimit të buxhetit të arsimit për vitin 2019.

Kur kanë kaluar tre vite nga ky zotim i kryeministrit, Faktoje vendosi të verifikojë si është në të vërtetë situata dhe sa përmbushen nevojat e fëmijëve me aftësi të veçanta në sistemin arsimor.

Ne ju drejtuam fillimisht me një kërkesë për informacion Shërbimit Social Shtetëror për të mësuar sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në Shqipëri dhe sa prej tyre ndjekin shkollën.

Kërkesa për informacion dërguar Shërbimit Social Shtetëror

Në përgjigjen zyrtare nga SHSSH na u bë e ditur se numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri është 15,487, ndërsa i fëmijëve që ndjekin shkollën 8,257.

Pas kësaj, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, për të mësuar sa është numri i mësuesve ndihmës në të gjithë vendin.

Kërkesa për informacion dërguar DPAP

Në përgjigjen zyrtare, na u bë e ditur se për këtë vit shkollor Komisionet multidisiplinare të ngritura pranë ZVAP-ve janë ende në proces shqyrtimi të dokumentacioni dhe vlerësimi të fëmijëve me Aftësi të Kufizuara.

“Numri i mësuesve ndihmës për vitin shkollor 2020-2021, ka qenë 1312, të cilët kanë mbështetur gjatë procesit mësimor nxënësit me aftësi të kufizuar, në bashkëpunim me mësuesin e klasës/mësuesin lëndor për zhvilliin e potencialit intelektual, socio-emocional, zhvillimor e fizik të nëxënësit.

Bazuar në kërkesat e paraqitura nga prindërit /kujdestari ligjor i nxënësve apo institucionet arsimore dhe vlerësimi i Komisionit Multidisiplinar do të vijojnë edhe procedurat e mëtejshme të punësimit për mësuesin ndihmës, sipas kritereve, të cilat duhet të ndjekë çdo institucion që ka përgjegjësinë e mbështetjes së nxënësve me aftësi të kufizuar.

Për vitin shkollor 2021-2022 Komisionet Multidisiplinare (KMD) të ngrituara pranë çdo ZVAP-je, janë ende në proces vlerësimit të fëmijëve duke dalë në rekomandimet e nevojshme pas shqyrtimit të dokumentacionit rast pas rasti”, njofton zyrtarisht DPAP.

Nga këto të dhëna rezulton se mesatarisht një mësues ndihmës asiston 6.2 fëmijë me nevoja të veçanta, edhe pse si rregull, një mësues ndihmës mund të punojë me 2 ose 3 nxënës me aftësi të kufizuara brenda të njëjtit institucion arsimor.”

Më tej, DPAP sqaron procedurat për emërimin e mësuesve ndihmës: “Bazuar në Rregulloren 31, datë 21.01.2020 ‘Për miratimin e rregullores  Për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare në Republikën e Shqipërisë’, çdo fillim viti shkollor, drejtuesit e zyrave vendore arsimore me një urdhër të brendshëm, ngrenë Komisionet Multidisiplinare (KMD) në cdo ZVAP, i cili është i përbërë prej pesë anëtarësh, për të shqyrtuar  kërkesat e prindërve dhe institucioneve arsimore me qëllim vlerësimin e nevojave arsimore për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të fëmijë, komisioni njofton me shkrim drejtuesin e institucionit arsimor për planet mësimore dhe programet lëndore që mund të jenë të zakonshme ose individuale si dhe rekomandon mjetet ndihmëse, që i nevojiten fëmijës për të realizuar procesin mësimor- edukativ. Për vitin shkollor 2021-2022 këto komisione të ngritura vazhdojnë ende shqyrtimin e kërkesave për vlerësim dhe në fund të muajit tetor do të dorëzojnë pranë cdo ZVAP-je edhe statistikat e sakta të numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuar, duke i diferencuar sipas diagnozave përkatëse”.

Ne e pyetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar edhe nëse ka pasur rritje të numrit të mësuesve ndihmës ndër vite. Nga të dhënat zyrtare vihet re se në vitin shkollor 2020-2021 kemi 212 mësues më shumë se një vit më parë.

“Mbulimi me mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuar ka hyrë pas daljes në fuqi të Udhëzimi Nr 26, datë 25.09.2019 ‘Për mësuesin ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar’. Para vitit 2013 në sistemin arsimor nuk kishte asnjë mësues ndihmës për kategorinë e nxënësve me aftësi të kufizuar. Vit pas viti ky numër është rritur dhe organizimi i këtij shërbimi është shtrirë në gjithë territorin.

Sipas statistikave të mbledhura, pë vitin shkollor 2019-2020 numri i mësuesve ndihmës ka qenë rreth 1100, ndërkohë që për vitin shkollor 2020-2021 në sistem kanë ushtruar profesionin në funksion të nxënësve me aftësi të kufizuar, 1312 mësues ndihmës çka tregon qartazi dhe përfshirjen e një numri në rritje të mësuesve ndihmës në mbështetje të nxënësve me aftësi të kufizuar”, sqaron DPAP.

Prindërit paguajnë mësuesit ndihmës

Ne biseduam edhe me një nga prindërit, që ka zgjedhur t’ia paguajë vetë fëmijës, mësuesin ndihmës. Sonila Meça, nënë e një djali me nevoja të veçanta tha për Faktoje se prej 6 vitesh ka vendosur që mësuesin ndihmës ta paguajë nga xhepi.

“Si unë ka edhe prindër të tjerë që kanë vendosur t’i paguajmë vetë, sepse nuk presim dot derisa t’i caktojë shteti. Kam 6 vite që ia paguaj, Fëmija është në klasën e 6-të. Pagesat variojnë nga 20 mijë lekë të reja në 30 mijë lekë të reja, varet nga eksperienca e mësuesit shoqërues”, sqaroi nëna e 14-vjeçarit.

Nga ana tjetër, Eglantina Bajrami, përfaqësuese e klubit kombëtar të prindërve të fëmijëve me spektrin autik dhe PAK tha për Faktoje se pas peticionit të bërë më 6 tetor, në shkolla janë vendosur mësuesit ndihmës. Mirëpo, ende nuk janë caktuar mësuesit ndihmës për fëmijët e klasave të para dhe atyre të dhjeta.

Peticioni i prindërve (foto e marrë nga Abc News)

“Këtë vit, në peticionin që ne bëmë për mungesën e mësuesve ndihmës, ata erdhën një javë pas peticionit. Peticioni funksionoi, por në realitet këta mësues duhet të ishin që në 1 shtator, ose në 27 shtator kur nisi shkolla normalisht. Ky është një problem i përvitshëm, sepse kriteret që ata kanë vendosur për mësuesit ndihmës janë të 2014-s dhe akoma nuk është rinovuar ky kriter për t’iu përshtatur ecurisë së jetesës dhe ecurisë së nevojave që janë për mësuesit ndihmës.

Pas peticionit, mësuesit ndihmës kanë shkuar në të gjitha rrethet. Të vetmit mësues ndihmës që mungojnë janë mësuesit ndihmës për fëmijët që kanë shkuar në klasë të parë, sepse janë duke bërë vlerësimin dhe nxënësit që janë në klasë të dhjetë, sepse nuk e deklarojnë që në fund të klasës së nëntë që duhet ta çojnë ose jo fëmijën në shkollë të mesme”, sqaroi ajo.

Premtimet ndër vite për fëmijët me nevoja të veçanta

tetor të këtij viti, disa prindër bënë një peticion si dhe protestuan para ambienteve të Ministrisë së Arsimit për mungesën e mësuesve ndihmës në shkolla. Të shqetësuar, ata i bënë thirrje MASR që të merrte masa të mënjëhershme, pasi fëmijët e tyre rrezikonin të mbeteshin pa mësim.

Ish-ministrja e Arsimit, sot kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla premtoi në vititn 2017: “Ne kemi një ambicie të madhe që në vitin 2020 të kemi të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe të integruar në shkolla dhe jo vetëm kaq, por edhe në sistemin parashkollor. Ky do të jetë një instrument i ri i rëndësishëm në mënyrë që ata të jenë më të përgatitur kur vijnë në shkollë”.

Edhe ish-ministrja, Besa Shahini premtoi në 2019-n shtim të numrit të mesuesve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi një vit më parë se: “Edhe figura e mësuesit ndihmës, që prej 2013 është përfshirë, tani e kemi profesion të rregulluar, janë licensuar 20 mësuesit e parë ndihmës, dhe tani kemi 1260 mësues ndihmës”.

Pavarësisht shumë premtimeve të bëra, numri i mësuesve ndihmës në raport me atë të fëmijëve që kanë nevojë për ta, vijon të jetë ende shumë i ulët larg edhe vetë rregullit që përcaktohet me ligj.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img