BallinaPertejVota e pavlefshme, "opozita” e vërtetë e 30 qershorit

Vota e pavlefshme, “opozita” e vërtetë e 30 qershorit

MERXHAN DACI

Në zgjedhjet e 30 qershorit, votat e pavlefshme u renditën të dytat për nga rezultati në disa bashki, duke lënë pas edhe kandidatët realë që rivalizuan Partinë Socialiste. Ekspertët tregojnë arsyen pse kjo lloj vote mori peshën e kundërshtarit kryesor të maxhorancës në zgjedhjet ku votuan mbi 700-mijë qytetarë.

————————————————————————————————

Vetëm 1/5 e shqiptarëve me të drejtë vote, shprehën verdiktin në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Opozitën në këto zgjedhje nuk e përfaqësuan Partia Demokratike dhe LSI, por Bindja Demokratike dhe disa kandidatë të pavarur së bashku me disa parti të vogla. Rezultati nuk ishte surprizë, Partia Socialiste fitoi 60 prej 61 bashkive. Risia ishin votat e pavlefshme. Edhe pse në çdo proces zgjedhor ka pasur mijëra të tilla, shumë mendojnë se pas tyre nuk qëndrojnë vetëm kryqe të vëna gabim, por arsye të forta: pakënaqësia apo detyrimi nga ndonjë rrethanë për të votuar.

Rrjetet sociale gëluan këto ditë nga foto të fletëve të votimit me simbole që secili kishte një mesazh. “Më detyruan”, ishte një nga mbishkrimet që spikati prej nëntekstit që potencialisht tregon se personi në fjalë ka shkuar në qendrën e votimit kundër  vullnetit të tij.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ende nuk ka dhënë shifrat zyrtare mbi numrin e votave të pavlefshme. Megjithatë, po të marrim të mirëqenë pjesëmarrjen ende të pazyrtarizuar prej 25,86% në Bashkinë e Tiranës, rezulton se numri i votave të pavlefshme është 9796 (ose 5,7% e totalit të votave në kuti), më shumë edhe se votat e konkurentit të Veliajt, Arben Skënderi i cili ka marrë 9364 vota.

KQZ pranon se raportimet mbi rezultatet kanë pasaktësi, pasi të dhënat janë marrë përmes komunikimit telefonik, por disa media kanë raportuar për më shumë vota të pavlefshme në Tiranë dhe në disa bashki të tjera.

Top Channel raportoi një ditë pas 30 qershorit se në Bashkinë e Tiranës bëhet fjalë për 10 mijë e 740 vota të pavlefshme në 11 njësitë e kryeqytetit. Numri më i madh i votave të pavlefshme sipas këtij burimi mediatik ka rezultuar në njësitë 2, 5 dhe 7. Ndërkaq A2 CNN raportoi të martën e 2 korrikut se numri i këtyre votave mund të jetë rreth 13-mijë.

Edhe në bashki të tjera raportohet për një numër të konsiderueshëm votash të pavlefshme, po t’i referohemi numrit të votuesve që morën pjesë në proces. Në Lezhë, po t’i referohemi të dhënave të KQZ, ka 1297 vota të pavlefshme (ose 8,4% e votave në kuti), që tejkalojnë numrin e votave që mori secili nga rivalët e kandidatit fitues, Pjerin Ndreu.

Votat e pavlefshme morën peshë edhe në bashkitë Gjirokastër dhe Përmet, duke u kthyer për nga rëndësia, “të dytët” pas kandidatit fitues.

Votat e pavlefshme kanë qenë një tregues i rëndësishëm për sjelljen e zgjedhësve edhe në zgjedhjet e kaluara.

Për shembull, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, votat që u konsideruan të pavlefshme ishin mbi 38 mijë  (ose 2,4% e totalit të votave në kuti). Me gjasë këto zgjedhje do të prodhojnë një numër më të lartë se ky i para 4 viteve.

Çfarë tregon ky fenomen?

Afrim Krasniqi, politolog, drejtor i Institutit të Studimeve Politike thotë për “Faktoje” se këto vota të pavlefshme vijnë kryesisht nga administrata shtetërore.

Votat e pavlefshme janë kryesisht të individëve ndaj të cilëve është ushtruar më shumë presion për pjesëmarrje në votim pa dëshirën e tyre. Kryesisht administratë publike ose individë në varësi të strukturës shtetërore, si mësues, policë, ushtarakë etj, individë që urdhërohen, por kanë kurajë të përdorin mekanizmin e votës së pavlefshme si protestë ndaj sistemit të presionit politik”, tha Krasniqi.

Votat e pavlefshme në këto zgjedhje janë dukshëm një akt politik, sipas politologut.

Fakti që në këto zgjedhje duket se kemi më shumë vota të tilla se në zgjedhjet e mëparshme është tregues edhe i nivelit të presionit që është përdorur në zona të caktuara, sidomos ku prania e opozitës, shoqërisë civile është formale dhe ata ndihen të pafuqishëm për t’i rezistuar presionit”.

Krasniqi shton se këto akte duhet te jenë objekt studimi e analize nga KQZ dhe strukturat e tjera, për të parë shtrirjen e presionit politik.

Ishte OSBE-ODIHR që konfirmoi në 1 korrik, në konferencën për mediat se në zgjedhjet e 30 qershorit pati presion kundrejt votuesve.

Ne pamë prova se zgjedhësit u ndodhën nën presion nga të gjitha palët politike”, tha shefja e misionit Glover.

Ndërkaq Erjon Tase, drejtor ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike e lidh situatën edhe me përgjimet për blerjen e votave, për të mbështetur tezën se në zgjedhjet e së dielës pati presion të madh.

Përgjimet e zbuluara së fundi nga zgjedhjet në Dibër dhe Durrës, dëshmojnë se në çfarë presioni për vendin e punës mund të vendosen punonjësit e administratës publike dhe familjarët e tyre, në rast se angazhohen hapur pro opozitës”, tha ai.

Tase shton se në votat e pavlefshme mund të ketë kontribuar edhe elektorati “gri” që në sondazhe të ndryshme përllogaritet rreth 10-15 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.

Për shkak se në këto zgjedhje nuk pati një fushatë të mirëfilltë, kjo pjesë e elektoratit nuk mund ta gjente veten të përfaqësuar. Si rrjedhojë, këta qytetarë që nuk donin të votonin kandidatin e mazhorancës, por edhe nuk donin që abstenimi i tyre të numërohej si mbështetje për opozitën, mund të kenë zgjedhur rrugën e ndërmjetme, pjesëmarrjen në zgjedhje dhe bërjen e pavlefshme të votës”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img