BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVideo e dritave misterioze gjatë tërmetit në Turqi i përket nëntorit të kaluar

Video e dritave misterioze gjatë tërmetit në Turqi i përket nëntorit të kaluar

Një video që pretendon se tregon drita përpara tërmetit të 6 shkurtit në Turqi po përdoret si ‘provë’ se ky tërmet nuk ishte “tërmet natyror”

Në rrjetet sociale shqipfolëse video shoqërohet me përshkrimin: “Drita tepër të çuditshme janë vërejtur në qiell në Turqi përpara se të binte tërmeti. Kush beson se ka qenë tërmet natyror nuk ka kuptuar asgjë akoma.”

Fillimisht, vihet re se video në fjalë nuk ka lidhje me tërmetin shkatërrues 7.5 ballë të datës 6 shkurt 2023. Në fakt, siç mund të shihet në cepin majtas-sipër videos, data shënon 23 nëntor 2022.

Kështu, duket se kemi të bëjmë në fakt me tërmetin 6.1 ballë që ra në Duzce të Turqisë në 23 nëntor 2022. Ky tërmet dëmtoi afërsisht 3000 ndërtesa dhe vrau në mënyrë indirekte dy njerëz.

Në atë kohë, Dr. Ali Pinar nga Observatori dhe Instituti Kërkimor për Tërmetet Kandili, shpjegoi për mediat se fenomeni i dritave kishte ndodhur dhe në tërmetin e Izmirit në vitin 1999. “Çlirimi i energjisë sizmike ndodh përgjithësisht me lëvizjen e thyerjes,” tha Pinar.

Shumica e tërmeteve me shkaqe natyrore janë pasojë e ndërtimit tektonik të tokës. Këto tërmete quhen edhe tërmete tektonike. Litosfera e tokës është si një qilim i përbërë nga shumë pllaka tektonike, të cilat lëvizin ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin e nxehtësisë së mantelit dhe bërthamës së tokës. Anët e pllakave tektonike rrëshqasin ndaj njëra- tjetrës duke shkaktuar forca fërkimi midis pllakave tektonike. Kur kjo forcë fërkimi kapërcen kufirin kritik, i cili quhet fuqia lokale, ndodh një thyerje e papritur. Kufiri i pllakave tektonike përgjatë të cilit ndodh thyerja quhet vija e thyerjes. 

Kur thyerja përgjatë vijës së thyerjes sjell si pasojë zhvendosjen e dhunshme të kores së tokës, atëhere çlirohet energjia e tërheqjes ose përdredhjes elastike dhe krijohen valët sizmike duke shkaktuar në këtë mënyrë një tërmet. Llogaritet se më pak se 10% e energjisë së përgjithshme të tërmetit çlirohet në formën e energjisë sizmike.

Nëse e gjithë energjia e tërmetit do të transformohej në energji sizmike, do të përjetonim tronditje 10 herë më të forta se ato që shohim tani. Një pjesë e kësaj energjie që nuk çlirohet në tronditje sizmike, merr formën e nxehtësisë që shfaqet si drita, thotë sizmikologu Pinar.

Dritat gjatë tërmeteve janë një fenomen që është raportuar të paktën që në vitin 869, gjatë tërmetit në Sanriku, në Japoninë e sotme, shumë kohë përpara se të krijoheshin teknologjitë moderne që kanë ushqyer së fundi teoritë konspirative.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img