Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, deklaroi si arritje uljen e numrit të aksidenteve gjatë 7 mujave të parë të vitit. Zoti Lleshaj, në analizën e kësaj arritje, “harroi” të përmendë kufizimet tre mujore gjatë pandemisë, ku qytetarët shqiptarë u përballën me bllokim të pjesshëm ose të plotë të qarkullimit.
—
“2020 e shpallëm Vitin e Sigurisë Rrugore, me synimin të vijojmë uljen e kurbës së aksidenteve, me objektiv zero jetë të humbura në 2050. Numri i jetëve të shpëtuara në këto 7 muaj është tregues sinjifikativ për punën e bërë nga institucionet dhe rritjen e përgjegjshmërisē tek drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës”, shkroi ministri Lleshaj në rrjetet sociale.
Sa reale janë shifrat
Dukshëm shifrat flasin për ulje të numrit të aksidenteve në krahasim me një vit më parë.
Megjithatë, përgjatë muajve mars, prill dhe maj, në Shqipëri pati bllokim herë të plotë e herë të pjesshëm të automjeteve për të lëvizur si pasojë e COVID-19.
Nëse shohim të dhënat që Instituti i Statistikave ka publikuar për aksidentet për secilin muaj nga janari deri në korrik të këtij viti, në muajt mars, prill dhe maj që përkojnë me bllokimin e vendit aksidentet janë përgjysmuar.
Në mars, pati gjithsej 65 aksidente nga 127 të të njëjtës periudhë të një viti më parë ose 48,8% më pak aksidente.
Në prill, pati 51 aksidente nga 112 në krahasim me një vit më parë ose thënë ndryshe 54,5% më pak aksidente.
Në maj pati 75 aksidente nga 115 në maj 2019 ose 34,8% më pak.
Pra, në tre muaj kur shqiptarët ishin në karantinë (ose pjesërisht) dhe lëvizjet me mjete ishin të kufizuara, logjikisht pati më pak aksidente.
Megjithatë kjo e dhënë nuk mjaftoi që ministri Lleshaj ta reklamonte si arritje në kuadër të Vitit të Sigurisë Rrugore.