BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingTregjet në Shkodër me kushte skandaloze, zgjedhjet rikthejnë premtimin e pambajtur

Tregjet në Shkodër me kushte skandaloze, zgjedhjet rikthejnë premtimin e pambajtur

Produktet bujqësore dhe blegtorale në Shkodër shiten në kushte skandaloze, dëshmi se premtimi i çdo fushatë elektorale, u shkel. Tregjet kanë degruaduar në atë pikë sa shumica e tregtarëve i është sulur trotuareve, ku vështirë të gjesh vend për këmbësorët. Verifikimi tregon mosfunksionim total të zinxhirit të përgjegjesive që nga ofrimi i kushteve deri tek monitorimi dhe ndëshkimi për tregtim në mungesë të kushteve higjino-sanitare, ku gjoba e fundit daton në 2018-n. Pak ditë më pare, ose 4 javë para zgjedhjeve, bashkia publikoi projektin ‘gati’ për tregjet, pa bërë asnjë trasparencë në lidhje me konsultimin publik dhe vlerën e tij.

Emi Kalaja

Thuajse 8 vjet më parë kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi mori angazhim për sistemimin e tregjeve në qytet, veçanërisht krijimin e tregjeve ditore.

Ajo erdhi me nje paketë premtimesh në këtë drejtim.

Sistemimi i tregjeve ishte parashikuar edhe në planin e zhvillimit të Bashkinë Shkodër.

Nisur nga rëndësia e madhe dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, ne bëmë një kontroll se çfarë ka ndryshuar dhe sa është përmirësuar situata e tregjeve në bashkinë e Shkodrës.

Nga verifikimet del se në vitin 2018 Bashkia Shkodër investoi një fond prej 30 milionë lekësh, ku janë përfshirë edhe sistemimi i kanalizimeve dhe vendosja e banakëve për shitje në tergun e fruta-perimeve në lagjen Rus.

Pa kaluar 2 javë nga hyrja në tregun e “rehabilituar” tregtarët shfaqën pakënaqësi dhe revoltë për investimin e dobët dhe jo funksional. Ata rikthyen çërçafët për t’u mbrojtur nga dielli dhe shiu, ndërsa investimi i bashkisë rezultoi një dështim.

Tregu në lagjen Rus, Shkodër mars 2023

“S’ka kushte aspak. Kabinat janë të vogla, të papërshtatshme, pa kushte brenda standardeve”-tha një shitës për Faktoje.

“Ka bërë pothuajse një kaçorre pëllumbash. S’ka bërë banaqe. Dy arka domate s’kemi ku i vendosim, ndërkohë që banaku ka qenë superbanak”, tha një tjetër shitës.

Në këtë treg janë rreth 60 tregtarë që zhvillojnw aktivitetin, ndërsa janë vendosur 116 banakë. E megjithatë një pjesë e konsiderueshme e tyre sot shesin në rrugë, jashtë tregut.

Kryetari aktual i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, e riktheu si shqetësim situatën në tregje një vit më parë, duke ripërsëritur premtimin për investim.

Por nga një kontroll në buxhetin e vitit 2023 të Bashkisë Shkodër, i miratuar nga Këshilli Bashkiak nuk është parashikuar ndonjë fond, qoftë edhe minimal sa i takon përmirësimit të kushteve në tregje.

Situata në terren, një vit pas premtimit të radhës ka degrduar edhe më shumë.

“Rruga në këtë treg (Lagjja Rus) është për të thyer qafën, baltë, llamarina, plastmasë. Paguajmë 3 mijë lekë të vjetra në ditë taksa, por nuk na ofrohet asgjë. Jashtë tregut është mbushur rruga më tregtarë ambulantë dhe tek në nuk blen askush”- thotë një tregtar që shet prej 15 vitesh në tregun e Rusit.

“Si mund të quhet treg kur nuk ka një mbulesë dhe çka bie jashtë, futet brenda mbi mallin i cili na shkon dëm. Jemi si në Afrikë, nuk kanë faj as qytetarët që nuk blejnë, me ia fal, me ia dhanë pa lekë edhe robi ka siklet” -thotë një tregtar për Faktoje.  

Në Shkodër numerohen mbi 120 tregtarë ambulantë, pothuaj më shumë se numri i atyre të formalizuar në tregun e Rusit dhe Zdrales.

Ata deklarojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë taksa mujore, por mund të paguajnë taksa ditore nëse bashkia i gjen një vend të përshtatshëm për të tregtuar, duke refuzuar tregjet aktualë të cilat sipas tyre janë pa kushte.

“Ku me shku moj zemra jeme?  Veç me u mbyt në Bunë. Jam 72 vjeçe, dal këtu me çanta, herë më largojnë, herë më tolerojnë, kjo është buka jonë nuk kemi ku shkojmë thotë një tregtare e cila del çdo ditë në trotuar për të shitur qumësht.

Gëzim Kraja 62 vjeç, na tregon se ka tri dekada që blen në tregun e Rusit.

“Përditë e ma keq, pisllëk, baltë, asnji kusht. Por jena pleq e s‘kena mundësi me ble kund tjetër se ktu i marrim ma lirë tek fshatarët. Unë biles vij para se me u mbyll tregu dhe ia marr në fund, se i bjen ma lirë. Marr ato që teprojnë, ngaqë përtojnë me u ngarku edhe një herë, pisllek asht, por njashtu mundohena me i pastru. Në supermarkete janë ma shtrenjtë!”-thotë ai për Faktoje.

Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare për informacion edhe AKU Shkodër ku kërkuam të dhëna mbi situatën higjieno-sanitare dhe sigurinë në tregje si dhe masat e marra nga ky institucion.

Përgjigjja e AKU Shkodër jep një informacion të përgjithshëmn se janë ngritur grupe kontrolli në bashkëpunim me Bashkinë, Policinë dhe drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe se gjoba e fundit e raportuar për tregtimin e produkteve në mungesë të kushteve higjieno-sanitare i përket prillit të vitit 2018. Përgjithsisht grupet e inspektimit, sipa përgjigjes kanë rol këshillimor.

Për ekspertin e ekonomisë dhe pedagogun Mario Çurçija një situatë e tillë ka një ndikim negativ sa i takon konkurrencës për tregtarët e tjerë të regjistruar të cilët paguajnë qira, tarifa pastrami, taksa lokale etj.

Në përgjigjen për Faktoje ai nënvizon se tregtarët ambulantë të cilët i gjejmë poshtë çdo cepi pallati apo disa metra larg banesave tona, sigurisht që na sjellin produktet lokale bio me çmime të ulëta, duke shkurtuar zinxhirin e transportit prodhues- tregtar – klient, por në konceptin e ekonomisë së tregut, ka shumë elementë abuzivë të cilët prekin pikë së pari ato tregtarë të cilët duan të jenë konform standarteve dhe sistemit të taksimit.

“Nga ana tjetër, efekt negativ është zenia e trotuareve duke penguar qarkullimin e këmbësorëve. Po ashtu vihet në pikëpyetje të madhe kontrolli i cilësisë së produkteve dhe standardet e sigurisë ushqimore janë të pacertifikuara”, përfundon eksperti Çurçija.

Me afrimin e zgjedhjeve vendore të radhës, situata skandaloze e tregjeve në Shkodër rikthehet sërish në agjendën elektorale të kandidatëve, këtë herë atij të Partisë Socialiste Benet Beci, i cili në një postim në rrjetet sociale nënvizon se tregu ka nevojë për rehabilitim dhe investim të menjëhershëm.

Postimi i Benet Becit, kandidat i PS për bashkinë Shkodër

Më 21 mars, pak ditë para publikimit të këtij artikulli dhe ndërsa Faktoje priste përgjigjen e kërkesës për informacion dërguar Bashkisë Shkoidër, kjo e fundit postoi në Facebook njoftimin se është gati projekti për tregun e Rusit.

Pavarësisht propagandimit të projektit, pak javë para zgjedhjeve vendore, Bashkia nuk ka njoftuar ndonjë konsultim publik paraprak dhe as ka bërë transparencë për vlerën e projektit.

Tjetër pikëpytje që ngrihet është fakti se flitet për një projekt i cili “shitet” si gati për zbatim, por vetëm mes rreshtash kuptohet se është një aplikim në ABZHR me fokus “Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore, tregjeve të kafshëve të gjalla ose thertoreve për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror, të zotëruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në vlerën jo më shumë se 30 mln lekë për subjekt”.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img