Pretendimi: Pak çaste më parë u regjistrua një tërmet i fortë

Verdikti: Mungon konteksti

Zot na ruaj! Tërmet pak çaste më parë, ja sa ishte magnituda dhe epiqendra” është titulli i një artikulli të publikuar në 13 tetor nga portali “Versus”. Titulli bombastik natyrshëm që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve duke mbledhur mbi 409 mijë klikime në pak ditë. 

Më tej në artikull është sqaruar se lëkundja është regjistruar në Greqi dhe jo në vendin tonë, si dhe që kishte një magnitudë prej vetëm 3.3 të shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në një zonë detare të Paleochora, pranë ishullit të Kretës, duke e shuar edhe më tej alarmin e ngritur në titull.

Pasiguria që krijon një titull i tillë është e dëmshme, sidomos në një vend si Shqipëria, ku paniku nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 vijon të jetë i freskët.

Përtej magnitudës të ulët të tërmetit në detin pranë Kretës, sipas verifikimit tonë në aplikacionin Earthquake track (Gjurmuesi i tërmeteve)  lëkundjet më të freskëta në Kretë të Greqisë, me magnitudë 4.4 Rihter, janë regjistruar më 19 shtator 2024, pothuaj 1 muaj para publikimit të artikullit alarmues.

Një titull i saktë dhe informues është thelbësor për të shmangur panikun dhe dezinformatën.