A i shpëtoi mësymjes së privatit baza ushtarake e Limionit, sipërfaqja 39 mijë metra katrorë, me pozicion strategjik në Sarandë, 2 orë larg Korfuzit? Prona me status jo thjeshtw shtetwror, u dha me koncesion në 2020-n, në cënim të sigurisë kombëtare dhe detyrimeve ndaj NATO-s, sipas konstatimit të SPAK. Baza e Limionit, u vu në sekustro pasi kishin nisur punimet nga qiramrrësit, ndërsa pohetohet skema ku përfshihen Ministria e Mbrojtjes dhe institucione të tjera kyçe. Deri më sot nuk ka të pandehur. SPAK ka përmbyllur fazën e parë të hetimit me dëshminë e Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka në atë kohë dhe ish shefit të Shtabit të FA Bardhyl Kollçaku.

Ermal Vija

Baza ndihmëse e Limionit në Sarandë, është një nga 5 pikat kryesore në bregdetin shqiptar, ku Forca Detare ka hapësirën e dedikuar për të kryer veprime operacionale dhe ku mjetet e rojes Bregdetare janë të vendosura në gatishmëri për çdo emergjencë në det.

E krijuar në vitin 1969 dhe e strukturuar plotësisht në vitin 1974, baza ka një sipërfaqe mbi 39 mijë m². Në vlerësimin e vitit 2014, u miratua sërish si pronë e Forcave të Armatosura me status te veçantë, që në terminologjinë ushtarake njihet si pronë në Plan Vendosje Përhapje. Kjo bazë mbeti e paprekur deri në vitin 2020, kur Ministria e Mbrojtjes dhe drejtues të Lartë të Forcave të Armatosura, lejuan dhënien me qira dhe përfshirjen në projektin e zhvillimit të Portit të Sarandës (korrik 2020).

Në prill 2021, baza Ndihmëse e Limionit, u bë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

Disa muaj më parë, në përmbyllje e fazës së parë të hetimit paraprak, SPAK kërkoi sekuestron preventive të bazës së Limionit, me qëllim parandimin e çdo ndërhyrjeje dhe ndërtimi të mundshëm. Prokuroria e Posaçme thotë në kërkesën për sekuestro (me të cilën u njoh Faktoje), se prona, për shkak të statusit të veçantë që ka dhe rolit që duhet luajë në veprimet operacionale të Forcës Detare dhe Rojës Bregdetare, nuk mund të merret në përdorim nga subjekte private.

“… disponimi i kësaj prone, duke e përfshirë në kontratën e koncesionit të miratuar me VKM nr. 515, të vitit 2020, tek subjekte privatë, në një kohë që prona e vendosur në Plan Përhapje dhe Vendosje i shërben mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, vë në rrezik sigurinë kombëtare dhe detyrimet që shteti shqiptar ka ndaj NATO-s apo organizmave të tjerë ndërkombëtarë”, – argumenton SPAK, në kërkesën e saj për sekuestro preventive.

Edhe Gjykata e Posaçme arsyeton njësoj në lidhje me sigurinë kombëtare, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i konsideron pronat e FA me status të veçantë dhe strategjikë.

“…Duke iu referuar këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, plani i vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, që u referohet dispozita ligjore konkrete e analizuar nga Gjykata Kushtetuese, neni 12/d i ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe Autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i shfuqizuar nga kjo gjykatë, është aspekt organizativ i drejtimit të Forcave të Armatosura me karakter strategjik. Parë në këtë këndvështrim, prona të përfshira në planin e vendosjes dhe përhapjes nuk janë pasuri që mund të trajtohen lirisht si pronat e tjera shtetërore për t’u dhënë me qira sipas VKM nr. 54/2014. Por kanë një status të veçantë, pasi i shërbejnë sigurisë kombëtare të një vendi, ruajtjes së gatishmërisë dhe operacionalitetit të njësive apo reparteve të dislokuara në këto prona.”, -shkruan gjykata në vendim.

Më tej në vendimin që vuri në sekuestro bazën ushtarake dhe ndaloi punimet e nisura, Gjykata e Posaçme argumenton cënimin e sigurisë kombëtare referuar objektivave të vendosura në strategjinë e mbrojtjes me VKM e vitit 2019.

“… ka arsye të bazuara të mendohet se disponimi i lirë i pronës mund të ndikojë në shtimin e rrezikut mbi gatishmërinë dhe operacionalitetin e Komandës së Forcës Detare, duke vënë në rrezik vazhdues interesat kombëtare të Sigurisë së Republikës së Shqipërisë, në vështrim të Kreut III, të VKM nr. 628, datë 25.9.2019, “Për miratimin e dokumentit të rishikimit të strategjisë së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, për sa kohë pala qiramarrëse/investitore ka akses në përdorimin e pronës në fjalë.” – argumenton Gjykata.

Por çfarë parashikon VKM e miratuar në 2019 dhe që përmban strategjinë për mbrojtjen e Shqipërisë deri në 2025?

Kreu tre i cituar nga Gjykata vendos disa objektiva, në përputhje me kërkesat e NATO-s.

Një prej tyre është: 

“…ruajtja e nivelit të gatishmërisë së kapaciteteve të mbrojtjes për të kryer të gjitha detyrat themelore të mbrojtjes, të cilat nuk duhet të reduktohen nën minimumin e standardeve të krahasueshme ushtarake ndërkombëtare dhe niveleve të pranueshme të rrezikut.”

Artur Meçollari, ushtarak, ish drejtues i Forcës Detare, shpjegon për Faktoje, rolin që luan Forca Detare në sigurinë kombëtare dhe të jetës.

“Forca jonë Detare është një forcë me dy misione: Forcë Detare dhe Roje Bregdetare. Këto dy misione kanë koncept operacional të ndryshëm mbi shpërndarjen e mjeteve për reagim në kohë dhe përballimin e kërcënimeve dhe sfidave që vijnë nga deti ose nëpërmjet detit.

Ndërsa Forca Detare si sturkturë ushtarake përqendrohet, pasi koha për reagim zakonisht është e madhe, mjetet e Rojes Bregdetare shpërndahen, pasi kërcënimet dhe rreziqet nuk janë ushtarake, por të një karakteri tjetër. 

Roja Bregdetare është strukturë e zbatimit të ligjit në det dhe forca kryesore për kërkimin dhe shpëtimin në det, pra shpëtimin e jetës së njerëzve në det. Për këtë arsye mjetet e Rojes Bregdetare shpërndahen nga Shëngjini deri në Sarandë (duke përfshirë edhe Durrësin, Vlorën dhe Porto Palermon) në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës, të gatshme, që në rast të një situate, dy mjetet më të afërta të arrijnë rajonin e situatës brenda 2 orëve”, tha Meçollari. Ndaj ai e konsideron jetike bazën e Limionit.

“Kanali i Korfuzit është rajoni me trafikun detar më intensiv dhe më i afërt me një vend fqinj.  Nëse Forca Detare nuk ka një bazë në Sarandë do ta ketë të pamundur përbushjen e misionit të saj të Rojes Bregdetare në Kanalin e Korfuzit dhe detin Jon. Nga pikëpamja humanitare, jo ligjore, Roja Bregdetare nuk do të ketë kapacitete të nevojshme për reagim të shpejtë në rast të një fatkeqësie në det. Kjo, pasi baza më e afërt, Palermo, me mjetet në dispozicion të Forcës Detare, por sidomos me distancën nga Kepi i Tillos dhe Pashalimani, nuk është në gjendje që të mbështesë misionin e Forcës Detare në Jon, por sidomos në Kanalin e Korfuzit”, shpjegon ai duke shtuar se këto arsye kanë bërë që Forca Detare të ishte kundër dhënies me qira apo edhe heqjes nga statusi i veçanë që ka.

Foto nga google maps, vendndodhja e bazë ushtarake të Limionit


Një pronë, dy procedura privatizimi

Forca Detare ishte sektori përgjegjës në FA, e cila mund të lejonte që Baza Ndihmëse e Limionit të jepej me qira, apo të përfshihej në projektin e zhvillimit të Portit të Sarandës. Duket se përgjegjësia ligjore dhe morale, e bëri këtë sektor, të jetë baza ku u mbështetën hetimet e SPAK, i cili në kërkesën për sekuestro (me të cilën u njoh Faktoje), rendit procedurat dhe komunikimet e strukturave në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes deri në finalizimin e tyre.

6 muaj ping-pong për miratimin e kontratës koncesionare

Referuar hetimeve të SPAK, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pas shpalljes së fituesit të koncensionit në tetor 2019, bashkimi i operatorëve “Kastrati Group” dhe “Edil-al” SHPK për ndërtimin e Portit Turistik, Sarandë, në janar 2020 kërkoi nga Ministria e Mbrojtjes, të shprehet për kushtet e kontratës.

Në datën 22 janar 2020, njëra pas tjetrës, Komanda e Forcës Detare dhe Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të FA, refuzuan miratimin e projektvendimit.

“Komanda e Forcës Detare, me shkresën nr. 231/1 prot., datë 22.01.2020, shprehet se nuk është dakord për miratimin e këtij projektvendimi, pasi sipërfaqja e pasqyruar nga përshkrimi i projektit dhe skema në relacion nuk përputhen me sipërfaqen nën administrim të Portit Sarandë, pasi krijon mbivendosje me pronën nr. 696 “Baza ndihmuese Sarandë”, në administrim të FD dhe në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes. Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm me shkresën nr. 462 prot, datë 22.01.2020, ka shprehur mosdakordësinë e tij për miratimin e projektit, pasi ky i fundit do të përfshinte edhe pronën nr. 696, e cila është në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes, duke cënuar ndjeshëm kapacitetet operacionale dhe, rrjedhimisht, edhe zbatimin e misionit të Forcës Detare dhe Rojës Bregdetare.”, citohet nga SPAK komunikimi mes institucioneve.

Pas refuzimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në maj 2020, përsëriti kërkesën në lidhje me projektvendimin, siç argumenton SPAK, duke i bashkëngjitur kërkesës edhe një hartë të detajuar të zonës ku do të shtrihej koncesioni.

Por këtë herë, Ministria e Mbrojtjes, anashkaloi Forcën Detare që ka në administrim pronën në fjalë dhe kërkoi mendim vetëm nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Drejtoria e Miradministrimit të Pronave dhe Aseteve.

“Ministria e Mbrojtjes në vijim të kësaj shkrese i kërkon mendim (nëpërmjet shkresës nr. 1964/4 prot., datë 18.06.2020, të përpiluar nga Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Akteve Rregullatore), vetëm Drejtorisë së Miradministrim të Pronave dhe Aseteve, si dhe Shtabit të Përgjithshëm, duke anashkaluar Komandën e Forcës Detare që e kishte në administrim pronën, ku dhe do të shtrihej projekti i Portit të Ri Turistik në Sarandë. Referuar projektit të dorëzuar projektvendimi përfshin edhe pronën nr. 696 “Baza Ndihmuese” Limion, Sarandë”.

Drejtoria e Miradministrimit të Pronave dhe Aseteve, si dhe Shtabi i Përgjithshëm kësaj here kthejnë përgjigje pozitive dhe bien dakord për miratimin e kontratës koncesionare.


Në 11 qershor 2020, gjatë kohës që zhvilloheshin procedurat për projekt-vendimin e kontratës koncesionare, SPAK thotë se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me kërkesë prononcimi për një projektvendim, pasi kishte marrë një ofertë të pakërkuar nga një bashkim operatorësh “Kastrati Group” SHA dhe “Concord Investment” SHPK për marrjen me qira me tarifën simbolike 1euro të pronave në Gjirin e Limionit për ndërtimin e një projekti turistik.

Ministria e Mbrojtjes drejtohet pranë Forcës Detare. Por kjo e fundit shprehet kundër projektvendimit dhe sqaron në kthimin e përgjigjes se “në Gjirin e Limionit ka tri prona, prona nr. 696 (në plan vendosje dhe përhapje), prona 1171, si dhe prona 1172 (jashtë planit vendosjes dhe përhapjes)”.

Një ditë pas kësaj përgjigjeje, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i drejtohet sërish Forcës Detare për t’u prononcuar, sepse sipas shkresës, duhej përcaktuar nëse prona ishte në plan Vendosje dhe Përhapje, nëse cënohej operacionaliteti i saj, si dhe nëse duhej dhënë me qira.

Në përgjigjen e dytë, Forca Detare jep dakordësinë e saj, por duke kërkuar ruajtjen e një pjese të pronës pa u cënuar.

Për të përmbushur qëllimet dhe funksionin e saj, do të duhet që baza e re të ndërtohet në një sipërfaqe 7000-9000 m2, të ketë një bankinë rreth 130 ml dhe të ketë infrastrukturën e nevojshme. Forca detare shprehet parimisht dakord për dhënien me qira të pjesës së ngelur jashtë hapësirës mbi të cilën do të shtrihet projekti i Bazës së re Ndihmuese të Limionit …”.

Nga analiza e komunikimeve, SPAK konkludon se Shtabi i Përgjithshëm e dha dakordësinë për dhënien me qira të bazës së Limionit, para se të administronte përgjigjen e FD.

Përgjegjësi penale, por pa emër

Në 7 prill të këtij viti, Olta Xhaçka e cila ka qenë Ministre e Mbrojtjes, në kohën e procedurave për dhënien me qira tek privati të bazës Nihmëse në Limion, u paraqit në SPAK, ku u pyet për mbi 1 orë.

Në përfundim Xhaçka refuzoi të prononcohej për mediat. Një muaj më herët, në 9 mars 2023, në SPAK u paraqit, Bardhyl Kollçaku, ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ai u pyet sipas raportimit të mediave për të njëjtën çështje. Duke u justifikuar me ruajtjen e sekretit hetimor, edhe Kollçaku refuzoi të fliste.  

Në dokumentet hetimore që Faktoje lexoi rezulton se në pranverë të këtij viti janë marrë në pyetje disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura në lidhje me bazën e Limionit.

Në kërkesën për vendosjen në sekuestro preventive të pronës, SPAK thotë se ka dyshime për disa veprime të kryera nga zyrtarët e lartë të Forcave të Armatosura dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, në kundërshtim me ligjin dhe me aktet nënligjore në praktikën e dhënies me qira apo dhënien me koncesion të pronës nr. 696 të njohur si “Baza ndihmuese” Limion, Sarandë, pronë e cila, me Dekret të Presidentit të Republikës, është në Plan Vendosje dhe Përhapje.

Përgjegjësi direkte, SPAK gjen edhe tek Ministri i Mbrojtjes.


“Ministri i Mbrojtjes, do të duhej t’i propozonte Presidentit të Republikës së Shqipërisë ndryshimet e pronës të vendosur në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes, pasi një pronë e vendosur në të, nuk është thjesht një pasuri shtetërore, siç përcakton pika 2 e VKM nr. 54/2014 (sipas të cilit pasuri shtetërore janë ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), truall i lirë, makineritë e pajisjet dhe linja e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 % shtetërore (në vijim shoqëri shtetërore) dhe tokat e pafrytshme), por prona e vendosur në Plan Vendosje dhe Përhapje ka aktivitet operacional për misionet e kërkim-shpëtimit, apo të rojës bregdetare, veprime këto që i shërbejnë sigurisë kombëtare të një vendi, një pronë e tillë siguron ruajtjen, gatishmërinë dhe operacionalitetin enjësive apo reparteve të dislokuara në këto prona.”, argumenton SPAK.

Hetimet ende janë në vijim për këtë çështje dhe procedimi i cili po hetohet për “Shpërdorim detyre” nuk ka ende emra të pandehurish.