Pretendimi: Shefi i NATO-s, Mark Rutte tha që do përjashtojë ShBA nga aleanca nëse Trump dorëzon Ukrainën te Putini
Verdikti: E pavërtetë
Po ngjall interes në rrjet një deklaratë bombastike e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Sipas këtyre postimeve, Rutte është betuar se “Nëse Trump e dorëzon Ukrainën te Putini, unë do t’i përjashtoj personalisht Shtetet e Bashkuara nga aleanca.”
I njëjti citat i dyshimtë është shpërndarë edhe në rrjete të tjera sociale, kryesisht I amplifikuar nga kanalet e propagandës proruse.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë të vërtetë që Rutte të ketë bërë këtë deklaratë.
Si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Rutte nuk ka asnjë autoritet për të “përjashtuar personalisht” një vend nga aleanca. Pavarësisht se ai është autoriteti kryesor që drejton dhe përfaqëson aleancën, statusi i kësaj organizate përcakton se “autoriteti për marrjen e vendimeve është kompetencë vetëm e vendeve anëtare.” Kjo do të thotë se asnjë individ, përfshirë Rutte, nuk ka fuqi të marrë një vendim pa dakordësinë e anëtarëve.
ShBA ishin një nga iniciatorët e nënshkrimit të traktatit të Atlantikut të Veriut në 4 prill 1949, dhe mbeten pjesë themelore për gjithë funksionimin e kësaj aleance ushtarake. Një largim i ShBA nga NATO do të thotë fundi de facto i kësaj organizate.
Citati agresiv i Rutte nuk përputhet me komentet publike të tij në lidhje me fitoren e Trump në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës. Më 6 nëntor, Rutte publikoi në profilin e tij zyrtar në X një deklaratë për të uruar Trump.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump përsëriti shpesh se ai mund të përfundojë menjëherë luftën në Ukrainë, por nuk dha detaje të qarta se si do ta realizonte këtë.
Pretendimet për përjashtimin e SHBA-ve nga NATO dhe citatet e fabrikura të Rutte janë një shembull i qartë se si dezinformata mund të përdoret për të krijuar tensione dhe pasiguri në skenën ndërkombëtare.