Pretendimi: Gjyqtari amerikan që shpalli fajtor Trump u ekzekutua në burgun e Guantanamos

Verdikti: E pavërtetë

Në rrathët konspiracionistë po qarkullon lajmi se Arthur Engoron, gjyqtari që fajësoi në shkurt 2024 Donald Trump për shmangie të taksave, është ekzekutuar në burgun ushtarak amerikan të Guantanamo Bay (GITMO). Ky pretendim është i njohur mes ndjekësve të lëvizjes QAnon, që imagjinon një plan të hartuar nga ushtria amerikane (në bashkëpunim me Donald Trump) për të burgosur në GITMO eksponentët demokratë dhe yjet e Hollivudit.

Si zakonisht ky pretendim për ekzekutimin e gjyqtarit të gjykatës së lartë amerikane nuk mbështetet mbi ndonjë provë të besueshme.  

Burimi i këtij lajmi duket se është një artikull i publikuar në faqen “Real Raw News“, i cili përshkruan një skenar fantastiko-ironik në lidhje me dënimin e gjykatësit Arthur Engoron.

Artikulli përshkruan një ngjarje dramatike ku Engoron, i akuzuar si një pjesë e “Deep State”, kërkon të mbrohet dhe të flasë me disa figura të larta ushtarake para ekzekutimit të tij. Në përshkrimin e artikullit Engoron paraqitet si një personazh që bërtet për hakmarrje dhe akuzon Presidentin Trump për fatin e tij.

“Real Raw News” ka një “disclaimer” të qartë në faqen e saj, ku thuhet se informacionet e publikuara janë për qëllime informative, edukative, dhe argëtuese. Sipas këtij disclaimer-i, faqja përmban “humor, parodi, dhe satirë”, duke mos mbajtur përgjegjësi për vërtetësinë e lajmeve të publikuara në rast të padive gjyqësore.

Kjo faqe është e njohur për përhapjen e lajmeve ironike, sarkastike dhe të pavërteta, dhe Faktoje.al ka verifikuar disa herë ( këtu, këtu)  se informacionet që ajo shpërndan janë më tepër një formë satire dhe ironie, duke theksuar se ato nuk janë të bazuara në fakte të vërteta.

Është e qartë se lajmet që “Real Raw News” shpërndan duhet të lexohen me shumë kujdes dhe janë të destinuara të përbëjnë një formë të humorit dhe satirës, dhe jo një burim të besueshëm informacioni. Bazuar në verifikimin e Faktoje.al në burimin e lajmit që po qarkullon lidhur me izolimin në kampin GITMO të gjyqtarit Arthur Engoron do ta klasifikojmë si të pavërtetë.