Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi premtoi gjatë fushatës elektorale se do të shtojë gjelbërimin në qytet, duke imponuar  hapësira të gjelbërta përpara çdo pallati me qëllim krijimin e një fytyre të re për Sarandën ajo e një qyteti të gjelbërt, si dikur.

Pas verifikimeve në terren rezulton se Sarandës i janë shtuar pemët,  por jo përpara çdo pallati. Këtë e konfirmon edhe Bashkia Sarandë kur thotë se s’ka hapësira të mjaftueshme në qytet.

VJOLANDA PECA

Më 3 maj të 2023 Oltion Çaçi asokohe kandidat për bashkinë Sarandë përmes një interviste në një nga mediat shqiptare listoi premtimet elektorale.

Çaçi e filloi intervistën me premtimin se do t’i japë përparësi hapësirave të gjelbra.

”…qyteti duhet të ndryshoj pamjen e tij duke shtuar gjelbërimin, duke imponuar çdo pallati një hapësirë gjelbërimi të detyrueshëm… tha Oltion Çaçi

*pjesë e shkëputur nga intervista e Oltion Çaçi- Shqiptarja.com

Saranda është një ndër qytetet më të vizituara nga turistët sidomos gjatë muajve të verës. Ajo që bie në sy është shëtitorja në qendër të qytetit e cila mbizotërohet nga palma të mbjella nga Bashkia Sarandë

*Pemë në shëtitoren e qytetit të Sarandës të thara

Faktoje.al iu drejtua Bashkisë së Sarandës me një kërkesë për informacion lidhur me premtimin e kryebashkiakut Oltion Çaçi për hapësira të shtuara të gjelbërta. Bashkia Sarandë ka investuar për shtimin e gjelbërimit në aksin rrugor Metoq- Çukë në një anë të rrugës vendosja e Fidanëve Akaciverepe, … Për vitin 2024 plani është motivimi për të gjitha lulishtet dhe parqet që janë para pallateve për tu mbjellë me Bli, Dafinë, Panja fletëtrasha…”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë

Përpos parqeve ekzistuese, lidhur me premtimin konkret të Çaçit për imponimin e gjelbërimit përpara çdo pallati, Bashkia e Sarandës u përgjigj se “…është një problematikë si pasojë e mungesës së hapësirave në qytet.”

*palma të mbjella në shëtitoren e qytetit

Sofo Thomai është përgjegjës i “Shoqatës mjedisore Saranda” dhe shprehet që Bashkia duhet të konsultohet me ekspertët për mjedisin.

Saranda është një qytet që e ka bekuar Zoti, por me punët tona e kemi dëmtuar shumë me ndërtime pa kriter pa studime të mirëfillta. Para 3 vitesh janë mbjellë “Pisha” në anë të detit dhe janë tharë” tha agronomi Sofo Thomai duke shtuar një shembull që “në Kukës mund të mbjellësh pisha por këtu ka karakteristika të tjera është vend subtropikal ka temperatura të larta

Bashkia Sarandë në përgjigjen e saj u shpreh që janë mbjellë ‘Bukovilje’ në rrugën hyrëse dhe dalëse në të dy anët e rrugës dhe pas verifikimit kjo rezulton e vërtetë. Saranda ishte e mbushur me ‘Bukovilje”, bimë e cila sipas ekspertit Sofo Thomai është e duhura për t’u mbjellë në Sarandë.

*‘Bukovilje’ nëpër qytetin e Sarandës

“Shatërvani”, parku i vetëm në Sarandë

Disa minuta larg shëtitores së qytetit ndodhet parku “Shatërvani”.

*parku i njohur si “Shatërvani” më 16 nëntor 2024

“Gjelbërimi, si të thuash, është jo i saktë, jo i mirë. Ky është park që rrinë të moshuarit. E kishim shumë më të mirë dhe na e bënë më të keq” shprehet Muharrem Tare pensionist

Një tjetër pensionist pranë tij, Kristo Kaçi, vijon: “Na e prishën fare. A rrihet në këto çimento” duke iu referuar stolave prej betoni ku ishin ulur

*tre pensionistët e ulur në njërin prej stolave të parkut “Shatërvani”

Përfundime

Premtimin elektoral të kryebashkiakut të Sarandës, Oltion Çaçi për shtimin e gjelbërimit, por edhe imponimin e hapësirave të gjelbërta përpara çdo pallati, do t’a kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. Gjelbërimi nga verifikimet në terren ishte shtuar, por jo ajo para çdo pallati siç premtoi kryenbashkiaku referuar edhe përgjigjes zyrtare të Bashkisë Sarandë.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.