Pretendimi: Në kulmin e acarimit të marrëdhënieve, Rusia urdhëron qytetarët e saj të largohen menjëherë nga SHBA
Verdikti: Mungon konteksti
Në rrjetet shqipfolëse është ndarë si një njoftim alarmues “urdhëri i Rusisë ndaj qytetarëve të saj për të braktisur menjëherë Shtetet e Bashkuara”. Lajmi shoqërohet me një foto kërcënuese të presidentit rus Vladimir Putin duke nënkuptuar një agravim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nisja e një lufte me ShBA dhe Rusisë është paralajmëruar si një opsion i mundshëm pas përplasjes mbi dy vjeçare së interesave në konfliktin në Ukrainë. Megjithatë, duket se nuk jemi ende në një situatë kur Putin është gati të shtypë butonin e kuq të raketave nukleare. Sidomos, tashmë që do të rikthehet në detyrë presidenti Donald Trump, i cili premton mbylljen e shpejtë të luftës nën argumentin se disa pjesë të Ukrainës janë “një e drejtë legjitime” e Rusisë.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se zanafilla e këtij alarmi është një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. Gjatë një konference për shtyp në 11 dhjetor në Moskë, ajo udhëzoi shmangien e udhëtimeve të qytetarëve ruse gjatë festave të fundvitit në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe disa shtete “satelite” të ShBA në Bashkimin Evropian.
Zakharova ka theksuar se ky paralajmërim vjen për shkak të rrezikut të mundshëm që qytetarët rusë mund të përballen me hetime të paspecifikuara dhe ndalim të lirisë nga autoritetet amerikane, të cilat mund t’i konsiderojnë ata si “të dyshuar” apo “armiq të shtetit”.
Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e presidentit Biden dhe aleatët e saj perëndimorë kanë mbështetur deri më tani Ukrainën me qindra miliarda dollarë armë dhe ndihmë, duke dalë kundër ambicjeve të Putin.
Paralajmërimi i Rusisë për qytetarët e saj është një shfaqje e mëtejshme e përshkallëzimit të marrëdhënieve mes dy superfuqive, por nuk përbën ende një kërcënim për ndonjë sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.