Pretendimi: Shkenca nuk po zbulon se përse janë rritur rastet e miokarditit tek të miturit në Itali

Verdikti: Mungon konteksti

Titulli i një lajmi të agjencisë italiane ANSA ka qarkulluar në rrjet këto ditë duke aluduar se rritja e numrit të rasteve të miokarditit tek te miturit ne Itali ka ardhur si pasojë e Covid-19.

Është e vërtetë se në vitin 2024 është regjistruar një rritje e rasteve të miokarditit tek të miturit në vendin fqinj, por arsyet që jepen nga burimet zyrtare në të njëjtin artikull të ANSA, fajësojnë infeksionin nga Parvovirus B19 për këtë fenomen dhe jo vaksinat apo vetë virusin e Covid-19.

Muajt e fundit, veçanërisht rreth verës, është raportuar një rritje e infeksioneve të shkaktuara nga Parvovirus B19 në Itali dhe në disa vende të tjera evropiane. Gjatë kësaj periudhe, disa spitale italiane kanë vënë re gjithashtu një rritje të numrit dhe ashpërsisë së rasteve të miokarditit tek të miturit, duke përfshirë adoleshentët meshkujt, të cilët janë më të prekur nga ky fenomen.

Ky fenomen është zbuluar nga një analizë e kryer nga rrjeti italian i mbikëqyrjes Inf-Act dhe është publikuar në revistën Eurosurveillance e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Nga 65 raste të regjistruara nga rrjeti Inf-Act nga janari deri në tetor të këtij viti, rreth gjysma e tyre (32 raste) janë të lidhura drejtpërdrejt me Parvovirus B19. Miokarditi ka qenë më i shpeshtë tek adoleshentët (37%) dhe meshkujt (40%).

Për momentin, fenomeni duket se po zbehet dhe shkaktarët e saktë nuk janë ende të qartë. Alfredo Guarino, profesor i Pediatrisë në Universitetin Federico II, shpjegon për ANSA se po studiohen të gjitha hipotezat, dhe nuk ka nevojë për alarm. Ai thekson se Parvovirusi B19 është një agjent eklektik, por infeksionet që ai shkakton janë në shumicën e rasteve krejtësisht beninje.

Megjithatë, Guarino vë në dukje se është e rëndësishme të trajtohet me kujdes ky fenomen, duke këshilluar prindërit që të jenë të kujdesshëm në rastet kur fëmijët kanë temperatura të larta që zgjasin më shumë se 5-6 ditë dhe, më e rëndësishmja, nëse shfaqen dhimbje në gjoks. Kjo simptomë, siç thekson ai, duhet të raportohet menjëherë te mjeku.

Pra, rritja e konsiderueshme e rasteve të miokarditit tek të miturit është i lidhur me infeksionin nga Parvovirus B19 dhe jo me vaksinat apo Covid-19.