BallinaPertejPrezantohen gjetjet e studimit për fenomenin e kapjes së shtetit

Prezantohen gjetjet e studimit për fenomenin e kapjes së shtetit

ILDA KURTI

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi përmes një raporti gjetjet e studimit: “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri: Një  shqyrtim i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi nga viti 2008 deri në 2020”, realizuar nga studiuesit Gjergji Vurmo, Rovena Sulstarova dhe Alban Dafa.

Ky projekt kombëtar mbi kapjen e shtetit në Shqipëri vjen si një bashkëpunim mes Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Sekretariatit të Transparency International, në kuadër të projektit “Dhënia fund e pandërshkueshmërisë për korrupsionin e nivelit të lartë ose politik në Ballkanin Perëmdimor dhe Turqi“, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian.

Në hyrje të raportit të publikuar këtë të martë theksohet se ai bazohet në një përmbledhje rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë që mbulojnë si rrjetet klienteliste dhe korrupsionin në gjyqësor, ashtu edhe ‘ligjet e bëra me porosi’.  Ai identifikon disa mangësi në katër fusha kryesore: integriteti i zyrtarëve të shtetit, trajtimi i çështjeve të korrupsionit nga gjyqësori, korrupsioni i gjyqësorit, dhe integriteti i procesit ligjvënës. Theksi vihet tek sistemi gjyqësor i Shqipërisë, i cili është në proces ristrukturimi tërësor, që synon të luftojë korrupsionin dhe, për pasojë, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të nivelit të lartë.

*Foto ilustruese nga aktiviteti prezantues i IDM

Zoti Gjergji Vurmo, i cili prezantoi edhe metodologjinë që IDM ka ndjekur për kryerjen e këtij hulumtimi tha: “Gjetjet kryesore të këtij raporti paraqesin mbi 50 raste të dyshuara të ligjbërjes me porosi përgjatë periudhës 2008-2020. Janë shqyrtuar 35 raste të ligjbërjes me porosi dhe 15 prej tyre janë investiguar dhe analizuar më tej.”

*Foto ilustruese i gjetjeve kryesore nga raporti i IDM

Ai prezantoi gjetjet për rastet që kanë pasur edhe vëmendje të shtuar publike: Teatri Kombëtar, Neni 62, Ligji për Lojërat e Fatit, Lotaria Kombëtare, Koncesionet dhe PPP-të, PPP-ja Milot-Balldre, Pragu i TVSH-së, Aeroporti i Vlorës dhe Kompania Air Albania.

*Foto e rekomandimeve të IDM

 

Në fund ky raport jep disa rekomandime:

– Nevoja për të forcuar transparencën e procesit të hartimit të projektligjeve në nivelin e pushtetit ekzekutiv, ku këshillohet botimi paraprak i planeve vjetore legjislative apo transparencë lidhur me grupet e punës që hartojnë projektligje; përmirësim i kapaciteteve të Kuvendit, dhe integritetin e përfaqësimit politik.

– Vendosja e standardeve të qarta për vlerësimin e mëpasshëm të ndryshimeve të legjislacionit.

– Të hiqet e drejta e deputetëve dhe qeverisë për të propozuar amendamente 24 orë përpara seancës plenare pa u shqyrtuar dhe votuar këto amendamente nga komisionet parlamentare përkatëse, duke iu referuar nenit 75 të Rregullores së Kuvendit.

 

Gjithashtu, ky raport shpreh shqetësimin dhe rekomandimin mbi mekanizmat për përfshirjen e shoqërisë civile dhe grupeve të prekura në procesin e hartimit të legjislacionit në nivel qeveritar.

Raporti rekomandon përmirësimin e konsultimeve publike dhe krijimin e një portali online, si dhe transparencën e shqyrtimit parlamentar të projektligjeve.

 

*Fotoja ballore është marrë nga kopertina e raportit të publikuar: “Zbërthimi i Kapjes së Shtetit në Shqipëri”. ©IDM

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img