“Unë e drejtoj prej 4 vitesh Bashkinë e Patosit dhe pika ku kemi ndërhyrë më shumë ka qenë infrastruktura. Por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë. Ka disa segmente kryesore si rruga Ruzhdie-Gjinoqar, rruga Drenie-Siqec”- tha Rajmonda Balialaj në një intervistë në vitin 2015, ndërsa kërkonte mandatin e dytë si drejtuese e kësaj bashkie.
Faktoje pyeti paraprakisht Bashkinë e Patosit për këtë premtim. Përgjigja që mori ishte se në këto rrugë është investuar.
Përgjigja e bashkisë
Faktoje shkoi të shihte nga afër nëse kishte ndryshuar diçka në infrastrukturë, 5 vite pas premtimit për dy rrugët rurale.
Rruga Drenie-Siqec
Drenia dhe Siqeca janë dy fshatra të Bashkisë Patos.
Nëse kërkon për to në Google, pothuajse nuk merr asnjë rezultat. Madje as Google Maps nuk të orienton dot drejt fshatrave, kështu që për t’i gjetur duhet të pyesësh banorë.
Pjesa ku rruga për Drenie ndahet nga fshati Xhepaj duket e shtruar, megjithatë pak metra më tutje rruga bëhet e vështirë dhe gropat hasen njëra pas tjetrës, përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
Pellgjet me ujë që kanë mbushur gropat e rrugës tregojnë për një situatë të vështirë që vetëm sa thellohet me kalimin e kohës.
Rruga është e ngushtë dhe dredhon përmes ullishteve.
Automjetet që kalojnë në këtë aks janë të rralla dhe për t’u këmbyer me to duhet të tregohesh vigjilent. Gropat dhe rruga e ngushtë e bëjnë edhe më të vështirë manovrimin në të tilla raste.
Shtëpitë e para fillojnë dhe shfaqen teksa duket se rruga e keqe ka bërë që këta banorë të mbeten të izoluar nga pjesa tjetër e Bashkisë Patos.
Banorët ankohen se rruga asnjëherë nuk është shtruar e plotë, por se e kanë rregulluar pak nga pak sa për ta bërë të kalueshme.
“Hedhin nga një çikë asfalt çdo vit. Ne këtu në Drenie sikur jemi më mire, por poshtë është më keq”- i tha Faktojes një banor.
Në shumë pjesë të saj, rruga është e pashtruar fare dhe në ditë me shi bëhet më e vështirë për ta përdorur.
Banorët në këto dy fshatra merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori.
Ullinjtë, që si duket këtë vit janë të mbarë me prodhimin, mbeten kultura kryesore bujqësore që i mban banorët.
Gjelat e detit janë një tjetër mbështetje për banorët “e harruar” të këtyre dy fshatrave të Bashkisë Patos që edhe pse jo më shumë se 20 minuta larg me makinë nga qendra e Patosit duket sikur jetojnë të shkëputur nga kjo bashki.
Pavarësisht pengesave të transportit për shkak të rrugës së pashtruar, banorët e këtyre dy fshatrave duket se e shfrytëzojnë bujqësinë me aq sa munden.
Rrallë mund të shikosh tokë bujqësore që nuk është e punuar.
Rruga Rruzhdie-Gjinoqar
Një nga premtimet e tjera të kryebashkiakes Balilaj në Patos ishte dhe shtrimi i i rrugës Rushdie-Gjinoqar.
Të dy këto fshatra janë shumë më afër me Patosin se Drenia dhe Siqeca.
Në Ruzhdie, pa hyrë për në Gjinoqar, rruga duket e sapo-shtruar.
Rruga duket e riparuar rishtazi në disa pjesë.
Siç konfirmoi edhe Bashkia Patos, në këtë rrugë është ndërhyrë në vitin 2016 me një fond me vlerë 37 milionë lekë.
Bazuar në buxhetin e parashikuar për vitin 2020, investimi në infrastrukturë mbetet një përparësi e bashkisë.
Por megjithatë, në buxhetin për vitin 2020 parashikohen vetëm 600,000 lekë për investime në rrugët rurale.
Nga verifikimi i kryer, premtimin e kryebashkiakes së Patosit për riparimin e rrugës Ruzhdie-Gjinoqar do ta kategorizojmë të mbajtur dhe premtimin për rrugën Drenie-Siqec, të Pambajtur.
* Faktoje, e mbeshtetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki ne vend, dhe po verifikon nese jane mbajtur ose jo premtimet e dhena nga kryebashkiaket.