Pretendimi: Qeveria Rama përcakton pagën minimale në 700 mijë lekë

Verdikti: Mungon konteksti

VJOLANDA PECA

Njoftimet për rritjen e pagave dhe pensioneve ngjallin gjithmonë interes nga lexuesit. Me këtë entuziasëm është pritur edhe vendimi i fundit i qeverisë për rritjen e pagave në administrate vendore, vendim i cili do të sjellë rezultate konkrete në pagën e muajit shtator për punonjësit e bashkive.

Gjatë këtyre ditëve kur pritet të tërhiqet paga e parë e rritur, portali Rilindje ka publikuar një titull që njofton se “Paga minimale shkon 700 mijë lekë të vjetra. Vendimi i Qeverisë Rama, kush përfiton prej shtatorit…“.

Titulli ka shërbyer për të tërhequr vëmendjen e lexuesit duke mos specifikuar se kjo rritje e pagës minimale është e vlefshme vetëm për një grup të caktuar punonjësish.

Sipas, vendimit të Këshillit të Ministrave, në 1 mars 2023, “paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi është 40 000 (dyzet mijë) lekë.”

Ky nivel minimal i pagës, i detyrueshëm të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, vijon të jetë i pandryshuar pavarësisht rritjeve të fundit në paga.Mbi bazën e pagës minimale llogaritet gjithashtu norma e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe tatimi mbi të ardhurat.

Vendimi i Qeverisë

Vendimi i qeverisë hap rrugën për një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e bashkive në të gjithë vendin. Sipas këtij vendimi, paga minimale në të gjitha bashkitë do të rritet nga 320 mijë lekë në 700 mijë lekë të vjetra.

Në mënyrë më specifike, për Bashkinë Tiranë, paga minimale për kryebashkiakun është caktuar në 268.000 mijë lekë, ndërsa maksimumi arrin deri në 318.750 mijë lekë. Për njësitë e qeverisjes vendore me numër banorësh midis 50 mijë dhe 200 mijë, paga për kryebashkiakun minimumi është 157.000 deri deri në 260.000.

Ndërsa specialistët e administratës lokale do të përfitojnë paga që variojnë nga 400 mijë deri në 800 mijë lekë në muaj, në varësi të nivelit të përgjegjësisë dhe kompleksitetit të punës, e deri tek sekretari i përgjithshëm, i cili maksimalisht do të paguhet 180.000 lekë.   

I pyetur nga Faktoje, eksperti Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, këtë reformim të sistemit të pagave e sheh si një mjet për të zvogëluar hendekun mes bashkive me popullsi të vogël dhe atyre me popullsi më të madhe.

“Ka një barazim pagash per nivel specialistesh në përgjithësi pa dallim madhësie bashkie, dhe këtu janë të avantazhuara bashkitë e vogla”- thotë z.Haxhimali. Por ajo që ngrihet si pikëpyetje prej tij është mundësia e bashkive për të përballuar nga buxhetet e tyre këtë rritje.