Një ndër premtimet elektorale të kryebashkiakut aktual të Fierit, Armando Subashi lidhej me përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe pastrimin e kanaleve kulluese në njësinë Levan

Gjatë verifikimit në terren, rrugët e dy prej fshatrave të Njësisë Levan janë shtruar, por u mungon ndricimi

VJOLANDA PECA

Një ndër premtimet elektorale të kryebashkiakut aktual të Fierit, Armando Subashi lidhej me përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe pastrimin e kanaleve kulluese në njësinë Levan.

Investimi rrugor rural ka qenë një prioritet i punës së bashkisë, sëbashku me pastrimin e kanaleve kulluese…” shprehet gjatë takimit me banorët e Levan më 18 prill 2023, Armando Subashi teksa kandidonte për Bashkinë Fier.

Armando Subashi në takimin e 18 prill-it 2023, me banorët e njësisë Levan

Njësia Levan i përket Bashkisë Fier dhe përfshin fshatrat Ferras, Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Shtyllas, Bishan, Bashkim, Boçovë, Martinë, Pishë Poro dhe Qarr.

*harta e njësisë Levan, shënuar me pika të kuqe fshatrat që janë pjesë e kësaj njësie administrative

Më 3 shtator 2024, Faktoje u interesua pranë Bashkisë Fier për afatin e përfundimit të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe sistemit kullues në Njësinë Levan, para se të shkonte për verifikim në terren.

Bashkia Fier nuk u përgjigj brenda afateve ligjore, duke shkelur të drejtën për informim për të marrë informacion të saktë dhe në kohë.

Në përgjigjen për Faktoje, (pas ankesës tek Komisioneri për të drejtën e Informimit) Bashkia Fier shprehet se përfundimi i rehabilitimit të njësisë Levan tejkalon edhe vetë mandatin 4 vjeçar që Subashi që mori pas 14 Majit dhe se investimet do të vazhdojnë deri në 2030.

Gjatë verifikimit në terren në Njësinë Levan, Faktoje.al vizitoi dy prej fshatrave të kësaj njësie, Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël.

Në këto dy fshatra rrugët ishin asfaltuar, por mungonte ndriçimi.

Pjesë rruge e asfaltuar në Peshtan të Vogël më 28 tetor 2024

Sa i përket kanaleve kulluese, banorët e fshatit “Peshtan të Vogël” u shprehën që nuk kanë probleme në këtë drejtim.

Emanuela, banore prej më shumë se 20 vite në Peshtan të Vogësl tha: “Nuk kemi probleme me kanalizimet dhe nuk përmbytemi sepse jemi në Kodër”, duke theksuar se problem i madh për banorët e fshatit mbetet uji i pijshëm.

Përfundime

Nisur nga verifikimet në terren pas premtimit të kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për përfundimin e rehabilitimit të rrugëve në Njësinë Levan dhe pastrimin e kanaleve kulluese do t’a kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.