Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 2023, Oltion Çaçi, kryetar i Bashkisë Sarandë, premtoi se do të zgjaste shëtitoren e qytetit deri te kanali i Çukës.
Nga verifikimet në terren zgjatimi i shëtitores drejt kanalit të Çukës duket i pamundur për shkak të mbingarkesës me ndërtesa anash rrugës. Bashkia na informoi që ende nuk e ka një plan konkret për zgjatjen e shëtitores së qytetit drejt kanalit të Çukës.
VJOLANDA PECA
Më 5 maj të 2023, kandidati për kryebashkiak i Sarandës Oltion Çaçi premtoi zgjatjen e shëtitores së qytetit deri te kanali i Çukës.
”Vetëm përpara’ për përmirësimin urgjent të rrugëve dhe trafikut… ndërtimin e rrugës 6 dhe zgjatja e shëtitores së qytetit deri te kanali i Çukës”- premtoi para qindra sarandiotëve të mbledhur në shëtitoren e qytetit socialisti Oltion Çaçi.

Faktoje.al vizitoi Sarandën më 15 nëntor 2024, 18 muaj pas premtimit të socialistit Çaçi, për të parë nëse shëtitorja ishte shtrirë deri te kanali i Çukës.
Para se të niseshim për Sarandë, për këtë çështje, i’u drejtuam Bashkisë së Sarandës me një kërkesë për informacion. Në përgjigjen e Bashkisë thuhet se për zgjatjen e shëtitores “nuk ka ende një plan konkret”.

Edhe gjatë verifikimit në terren premtimi rezulton të mbetet ende në letër.

Shëtitorja aktuale ndërtuar buzë detit ka hapësirë të madhe për të lejuar shëtitjet e shumta. Por, zgjatja e saj deri tek kanali i Çukës has në një tjetër problematikë, ndërtimet anash saj.


“Ishte në plan, ishte në projekt për shëtitoren. Ama ishte dhe plani që të mos bëheshin ndërtime në rrugën ekzistuese. Është e pamundur tani, s’i heq dot se janë miliarda ndërtime që janë bërë”, shprehet z.Herakli banues prej 60 vitesh në Sarandë.
“Premtimet e zyrtarëve, përfshirë ato bashkiake lidhen me joshjen e zgjedhësve, edhe pse në disa raste zgjidhet edhe ndonjë problem i komunitetit siç mund të jetë dhe zgjatja e një shëtitoreje”, thotë për Faktoje, Zef Preci, ekspert ekonomie. Më tej, ai nënvizon: “Për të vlerësuar mundësinë e realizimit të atij investimi publik në shëtitoren Sarandës nevojitet të sqarohet nëse është nevojë publike? A është diskutuar në Këshillin Bashkiak apo është thjesht nismë dhe lobim përsonal i kreut të Bashkisë”.
Përfundime
Bazuar në përgjigjen e Bashkisë Sarandë por edhe nga verifikimet në terren, premtimin e kryebashkiakut të Sarandës, Oltion Çaçi për zgjatimin e shëtitores së qytetit deri te kanali i Çukës do t’a kategorizojmë deri më tani të pambajtur.
*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.