Pretendimi: Pajisjet që shpërthyen në Liban ishin prodhuar nga kompania Motorola
Verdikti: I pavërtetë
Kurthi i shpërthimeve të organizuara të pajisjeve komunikuese “pager” të lëvizjes Hezbollah në Liban ishte një nga lajmet kryesore të ditëve të fundit. Një pjesë e mirë e postimeve në media dhe rrjetet sociale kanë ndarë lajmin se prodhuesi i pajisjeve shpërthyese ishte “Motorola”.
Duke përmendur kompaninë e njohur teknologjike si një nga furnizuesit kryesor të Izraelit me pajisje përgjimi, argumentohet përfshirja e shërbimeve sekrete izraelite në këtë sulm të mirëorganizuar.
Pas shpërthimeve, shumë përdorues filluan të postonin fotografi të vjetra të pajisjeve Motorola, duke krijuar një lidhje të pavërtetë me incidentet e fundit. Për t’i hedhur më tepër benzinë zjarrit, pati dhe deputetë në Iran, që kërkuan në momentet e para pas shpërthimit heqjen nga përdorimi të pajisjeve “Motorola”.
Artikulli mbi alarmin e ngritur nga deputeti iranian
Në fakt, zyrtarët libanezë dhe media të besueshme kanë sqaruar se pajisjet në fjalë ishin një prodhim i kompanisë tajvaneze Gold Apollo.
Presidenti i Gold Apollo, Hsu Ching-Kuang deklaroi se modeli i shënjestruar në sulm ishte prodhuar nga B.A.C. Consulting, një kompani me një adresë hungareze, sipas një marrëveshje licencimi. Vetë dega hungareze është shfajësuar se marrëveshjen tregtare për shitjen e pajisjeve të komunikimit e ka zhvilluar një firmë me qendër në Bullgari, gjurmët e së cilës humbasin.
Edhe pse Motorola nuk ka lidhje me shpërthimet në Liban, kompania ka një histori të gjatë të bashkëpunimit me ushtrinë izraelite ashtu si shumë ushtri në të gjithë botën. “Motorola” ofron një gamë të gjerë pajisjesh për qëllime ushtarake, përfshirë sisteme komunikimi të kriptuar, radarë dhe teknologji mbikëqyrjeje. Kjo e bën atë një partner të rëndësishëm për çdo forcë ushtarake që ka mundësitë financiare për të përballuar teknologjitë më të mira në treg.