Pretendimi: Kardiologu i njohur shqiptar rekomandon produktin që pastron enët e gjakut
Verdikti: I pavërtetë
Një nga taktikat më të zakonshme që përdorin individët ose kompanitë që shesin produkte farmaceutike online është shpikja e emrave të mjekëve të rremë për të rritur besueshmërinë e produkteve të tyre. I tillë është mesa duket dhe rasti i promocionit të një produkti farmaceutik që premtohet se pastron enët e gjakut, i publikuar në formatin e një interviste me një kardiolog të njohur shqiptar, duke përdorur logon e televizionit “News24”.
Intervista me “doktor” Dervishin
Artikulli në fjalë përmban një sërë pretendimesh të pavërteta dhe problematike.
Një nga problemet kryesore të këtij artikulli është fakti që emri i përmendur, Dr. Klodian Dervishi, emrin e të cilit e kërkuam në regjistrin e mjekëve, për të konfirmuar se nuk është një nga kardiologët shqiptarë.
Kjo tregon se artikulli ka për qëllim të manipulojë lexuesit duke krijuar figura fiktive për të krijuar besueshmëri të rreme.
Artikulli pretendon se “Dr. Dervishi” është 89 vjeç, por ka mbetur “i ri në zemër dhe trup” për shkak të përdorimit të një produkti të veçantë. Nuk ka prova që një produkt i vetëm mund të zgjidhë të gjitha problemet e plakjes, dhe asnjë mjek i njohur nuk do të pretendojë se është i pamposhtur nga efektet natyrore të plakjes.
Pas një kërkimi në kërkimi në “Google Lens” të fotos së doktorit vumë re që e njëjta foto është përdorur në një artikull tjetër në gjuhën kroate. Artikulli në shqip është përkthyer shabllon dhe kjo justifikon fjalitë e paqarta. Fotografia është e mundur të blihet online në arkivat (shutter stock), që përdoret nga ndërtuesit e faqeve të internetit
Ndërsa është e vërtetë që enët e gjakut të bllokuara mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si hipertensioni apo sëmundjet kardiovaskulare, mënyra se si prezantohet ky problem në artikull është e ekzagjeruar dhe çorientuese.
Edhe pse pastrimi i enëve të gjakut është një koncept që ndodh natyralisht në trup, nuk ka një produkt magjik që mund ta përshpejtojë këtë proces në mënyrën që përshkruhet në artikull.
Përdorimi i terminologjisë mjekësore për të shpjeguar këtë metodë për konsumatorin e zakonshëm është çorientuese dhe shpesh përdoret si një taktikë për të bërë që njerëzit të besojnë në efektivitetin e produkteve joefektive.