BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDrejtori i funeralit në Zelandën e Re keqinformoi për vaksinimin anti-Covid

Drejtori i funeralit në Zelandën e Re keqinformoi për vaksinimin anti-Covid

Mediat online kanë shpërndarë një lajm mbi një deklaratë të pabazuar të një drejtori agjencie funeralesh, i cili pretendon se 95% e njerëzve që kishin ndërruar jetë, ishin vaksinuar në dy javët e fundit. “Faktoje” verifikoi se personi në fjalë është pjesë e grupeve anti-vaksinim dhe se teoritë e tij nuk janë të bazuara në fakte shkencore.

—————————————————————————————————————————————–

Drejtorët e agjencive funeralesh mund të kenë shumë eksperienca më të ndjerët që “kalojnë” nëpër biznesin e tyre, por njëri syresh në Zelandën e Re, pretendon se ka edhe statistika të sakta mbi shkaqet e vdekjes dhe periudhën e vaksinimit. Më 25 tetor, disa portale, që kanë shërbyer si burim edhe për portalin shqiptar “Hashtag”, kanë publikuar një deklaratë të drejtorit të funeralit, Brenton Faithfull, sipas të cilit, “95% e të vdekurve të shërbyer prej tij, ishin vaksinuar kundër Covid-19 në dy javët e fundit”.

Screenshot lajmi i publikuar nga portali

Për të informuar në mënyrë korrekte audiencën, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të këtij lajmi. Gjatë një kërkimi në Google shihet se deklarata e bërë nga drejtori i agjencisë së funeralit është pasqyruar nga disa media të huaja, por që nuk janë burime të besueshme informacioni. E gjithë zhurma e ngritur prej tyre bazohet në një deklaratë publike të dikujt që nuk ka përgatitjen profesionale dhe mundësi për të mbledhur fakte shkencore për të arritur në një përfundim të provuar. Zyrtarisht, janë konfirmuar vetëm dy vdekje të lidhura me vaksinën kundër Covid-19 në Zelandën e Re.

Por, kush është Brenton Faithfull? Drejtori i funeralit njihet për teoritë e tij konspirative mbi çështjen e vaksinimit dhe teori të tjera konspirative. Këto pikëpamje, Faithfull i ndau gjatë një takimi të zhvilluar me grupin kundër vaksinimit “Voices For Freedom” në Auckland, fakt ky i konfirmuar nga vetë përfaqësuesit e grupit. Deklarata e tij u përhap masivisht nëpërmjet mediave sociale, duke u bërë një burim serioz dizinformimi.

Në pretendimet e tij të pabazuara, drejtori i funeralit ndër të tjera argumentonte se “vdekjet nga vaksinimi nuk raportoheshin, sepse fëmijët e prindërve të moshuar ndiheshin ‘fajtorë’ që kishin inkurajuar të afërmit e tyre të merrnin vaksinën”. Sigurisht që për një shoqëri si ajo neozelandaze është pak e besueshme që familjarët të “hapin zemrën” dhe ndajnë shqetësimet e tyre me drejtorin e një agjencie funerale.

Këto pretendime janë demaskuar më tej publikisht nga drejtoresha e Shoqatës së Agjencive Funerale, znj. Gillian Boyes, e cila tha se “Faithfull Funerals” nuk ishte anëtare e organizatës që përfaqëson 80% të të gjithë drejtorëve të funeralit në Zelandën e Re. Ajo shtoi se ishte e trishtuar për këto deklarata për shkak të frikës dhe shqetësimit të mundshëm që mund të krijonin komentet e Faithfull.

Gazetarët neozelandezë kanë zbuluar gjithashtu se drejtori Faithfull kishte qenë gjithashtu aktiv në platformat konspirative në Telegram me emrin e përdoruesit “we the_people_know” – një frazë që mbështetësit e Donald Trump kanë përqafuar në protesta, duke shpërndarë teori të ndryshme konspirative kundër qeverisë. Pas kontaktimit nga gazetarët, ai e fshiu llogarinë e tij në Telegram dhe tha se po hiqte të gjitha postimet në mediat sociale që kishte bërë.

Duke iu kthyer edhe njëherë rëndësisë së vaksinimit, të dhënat zyrtare nga organizmat shkencore ndërkombëtare tregojnë qartë se vaksinat janë të sigurta. Në lidhje me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se vaksinat kanë treguar një nivel të lartë efikasiteti në të gjithë popullatën, si dhe kanë rezultuar të efektshme edhe për personat me sëmundje të rënda. “Miliarda njerëz janë vaksinuar në mënyrë të sigurt kundër COVID-19. Të gjitha vaksinat e miratuara për COVID-19 janë testuar me kujdes dhe vazhdojnë të monitorohen”, raporton OBSH.

Revista mjekësore “Lancet” argumenton se miliona jetë në mbarë botën janë shpëtuar falë vaksinimit kundër Covid-19. “Bazuar në vdekjet zyrtare të raportuara nga COVID-19, ne vlerësuam se vaksinimet parandaluan 14·4 milionë vdekje nga COVID-19 në 185 vende dhe territore midis 8 dhjetorit 2020 dhe 8 dhjetor 2021”, shkruan ndër të tjera “Lancet”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img