Pretendimi: Ministrja e jashtme gjermane përmendi gjyshin e saj nazist si krijuesin e paqes në Evropë

Verdikti: Mungon konteksti

Një fjalim i ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i nxjerrë nga konteksti, po qarkullon në rrjet për të rikujtuar të kaluarën naziste të Gjermanisë. Video është shkëputur nga kongresi i fundit i Partisë së Gjelbër gjermane, e cila drejtohej më parë nga Baerbock. Teksti që shoqëron videon, interpreton si një gafë pjesën e fjalimit ku Baerbock për mbështetjen ndaj Ukrainës, kur deklaroi se “gjyshërit e saj i dhanë paqes në Evropë një mundësi të dytë pas luftës”, duke kujtuar se “gjyshi i saj ishte një nazist”.

Postimi në Facebook i fjalimit të Baerbock

Kjo video e titruar në rusisht ngjall natyrshëm dyshime se është prodhuar nga propaganda ruse. E kaluara naziste e Gjermanisë është një goditje për besimin tek vendi pararojë i Bashkimit Evropian, por njëkohësisht është në linjë me vizatimin e e Ukrainës si një vend nazist për konsumin e brendshëm në Rusi. 

Në videon 1.25 minutëshe të shpërndarë në rrjet, ministrja e gjelbër gjermane thotë: “Çfarë fati që ne mund të jetojmë në liri nën një bashkim të tillë me emrin Evropian. Duhet t’i kujtojmë gjithmonë vetes se mbi cilat themele është ndërtuar kjo liri. Gjyshërit tanë, gjyshërit e mi, kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj lirie. Ishin politikanë dhe popuj që morën një përgjegjësi të tillë. Nuk ishte e natyrshme kur këta njerëz luftuan mes tyre gjatë luftës, por pati politikanë të guximshëm që i dhanë dhe një mundësi tjetër këtij kontinenti. Ne do e mbështesim Ukrainën përsa kohë ata kanë nevojë”. 

Nga verifikimi i mëtejshëm, fjalimi i zonjës Baerbock është zhvilluar në Këshillin Kombëtar të Partisë së Gjelbër, të zhvilluar në 1 qershor në Postdam. Duke ndjekur më tej fjalën e Baerbock, mund të kuptohet se rikujtimi i gjyshërve gjermanë nazistë është nxjerrë nga konteksti. Mesazhi për të kaluarën ka rikujtuar pajtimin dhe bashkëpunimin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët dhe francezët u ulën së bashku për të ndërtuar paqen dhe të ardhmen duke lënë pas luftën. 

Njoftimi zyrtar i Partisë së Gjelbër citon Baerbock të ketë theksuar “se sa e rëndësishme është të mbrohet Bashkimi Evropian si një projekt paqeje. Këtë ua detyrojmë njerëzve që gjetën forcën për të jetuar në pajtim me ne. Dhe ne jo vetëm që jemi mirënjohës për këtë, por kjo është përgjegjësia jonë në botën e sotme. Për Republikën Federale të Gjermanisë. Për Evropën tonë të përbashkët.”

Baerbock është përballur edhe më parë publikisht me të kaluarën e një prej gjyshërve të saj. Ajo ka folur për përvojat e gjyshit të saj gjatë luftës, duke i thënë një auditori në vitin 2022 se Ëaldemar Baerbock u kthye në Gjermani nga lindja në fillim të vitit 1945 “si një ushtar i mundur në betejë”. Më pas, gazeta gjermane Bild publikoi një artikull duke përshkruar gjyshin Baerbock si një oficer në Ëehrmacht, i vlerësuar me një nga nderimet më të larta ushtarake të Rajhut të Tretë, Kryqi i Meritës së Luftës në vitin 1944. 

Bazuar në këtë fakt të njohur dhe pranuar mbi të kaluatën familjare, merr më shumë kontekst përmendja e “gjyshërve të mi” si ata që gjetën pajtimin dhe u pranuan nga të tjerët në themelimin e Bashkimit Evropian. 

Artikulli paraprakStrehimi i komunitetit rom-egjiptian në Korçë, larg objektivave të vendosur nga bashkia
Artikulli tjetërE manipuluar video e uljes së presidentit Biden mbi karrigen imagjinare
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.