Gazetarja dhe pedagogia Olena Churanova ishte në Tiranë për të ndarë praktikat më të mira të organizatës fact-checking StopFake Ukrainë mbi taktikat dezinformuese ruse për luftën në Ukrainë dhe ndikimin në Evropë. Në një prezantim me studentë, lektorë dhe kolegë të Faktoje, ajo shpjegoi rëndësinë e informimit me fakte gjatë përballjes me narrativat dezinformuese. Churanova theksoi rolin e Inteligjencës Artificiale dhe taktikat ‘historike’ të manipulimit të opinionit publik, duke paralajmëruar rrezikun që ato sjellin edhe gjatë zgjedhjeve. Gazetarja ndau realitetin e përditshëm të jetës në Ukrainë dhe thirrjen për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër dezinformimit.

Viola Keta

Raportimet që vijnë përmes platformave, televizioneve, portaleve apo gazetave nuk mjaftojnë për të shpjeguar se çfarë po shkakton lufta e zgjatur në Ukrainë, ashtu siç e përshkruan Olena Churanova. Pedagogia e Akademisë së gazetarisë Mohyla në Universitetin e Kievit , editore në organizatën fact-checking Stop Fake të Ukrainës e dëshmoi këtë në Tiranë, para një grupi studentësh, lektorësh dhe kolegësh të saj bashkëpunëtorë të Faktoje, përmes prezantimit me temë “Lufta ndaj dezinformimit në Europën Qendrore: Praktikat më të mira nga Stop Fake”, (mbështetur nga Google News Initiative) në Universitetin Beder.

Trajnimin e saj, i pari në Shqipëri nga një verifikues faktesh ukrainas, që prej agresionit rus në 2022, e shoqëroi alarmi i aplikacionit të instaluar në telefonin e çdo qytetari që jeton në Ukrainë, që njofton sa herë shfaqet rreziku i bombardimeve. Pas çdo alarmi, vinte një buzëqeshje e Olenës që nuk e fshihte dot shqetësimin e saj për sigurinë e dy djemve 9 dhe 3 vjeç dhe bashkëshortit që shërben në ushtri, në Kiev.

Taktikat Ruse të Dezinformimit

“Në fakt, Rusia përdor të njëjtat taktika, madje edhe ato të përdorura gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik për të përhapur narrativat e dezinformimit. Dhe natyrisht ne përballemi me shumë narrativa dhe teknika të ndryshme që nga viti 2014, por kjo u shtua gjatë pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022,” thotë Churanova teksa shpjegon se si dezinformimi dhe manipulimi i opinionit publik në Ukrainë, gjeneruar nga agresori, përpiqet të ‘shpëlajë trurin’ paralelisht me sfilitjen e përditshme të njerëzve për t’i rezistuar luftës.

“Por natyrisht, Inteligjenca Artificiale me videot apo imazhet deepfake kanë pjesën e tyre, veçanërisht gjatë situatave të konfliktit, pikërisht atëherë kur njerëzit duan të marrin disa vendime dhe Rusia përdor këtë lloj teknikash. Por të gjithë duhet të kuptojmë pse është vërtet e rëndësishme që kur njerëzit duhet të marrin një vendim të rëndësishëm, ata ta bëjnë bazuar në informacione të besueshme dhe jo mbi dezinformimin,” shpjegon Churanova, e cila pranon se një numër i konsiderueshëm lajmesh të rreme dhe narrativash të nxitura nga Rusia sipas saj, janë përhapur edhe në Shqipëri.

Churanova solli rastin e “bombës së pistë” në prezantimin e saj për studentët, por ndryshe nga impakti dezinformues dhe shtrembërimin e perceptimit tek audienca në shtete të tjera (përfshirë Shqipërinë), në Ukrainë kjo narrativë është ‘shitur’ për të justifikuar vrasjen e njerëzve të pafajshëm, dëshmon editorja dhe pedagogia nga Stop Fake e cila e sheh të domosdoshëm bashkëpunimin me sa më shumë organizata të dedikuara në gjurmimin dhe luftën e dezinformimit, pasi e kuptojnë më mirë kontekstin dhe peisazhin mediatik.

Këshilla e lektores për studentët e gazetarisë dhe gazetarët e sotëm, duke hequr paralele për ndikimin e dezinformimit në Shqipëri dhe Ballkan, është: “Nuk ka rëndësi për cilin rajon po flasim. Është e rëndësishme të kuptohet çfarë është dezinformimi, informacioni që përhapet qëllimisht për të shkaktuar dëme dhe cilido mund të përhapë këtë lloj informacioni të dëmshëm. Reagimi i duhur: është fakte të besueshme. Ne duhet të kuptojmë si ta rregullojmë, ta analizojmë për të identifikuar se çfarë narrativash fshihen pas këtyre lajmeve të rreme dhe të kuptojmë se si të përballemi.”

Lista e Narrativave dezinformuese kryesohet nga lufta në Ukrainë

Që prej nisjes së agresionit rus ‘në shkallë të plotë’ në 2022 siç i referohet Churanova, Faktoje ka publikuar të paktën 200 verifikime në lidhje me narrativat e përhapura me këtë tematikë. Verifikimi i parë i përfshirë në kategorinë “Dezinformimi (dhe propaganda) në kohë krizash lidhet me pretendimin e kryediplomatit rus Lavrov, pak ditë para nisjes zyrtare të sulmit (24 shkurt 2022), se nga Shqipëria dhe vende të Ballkanit po dërgoheshin mercenarë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë. Kjo narrativë, ku agresori ‘maskohet‘ si viktima, sipas njohësve të taktikave dezinformuese, u pasua me dhjetëra të tjera ndërsa shpërndarjet në rrjetet sociale kapin minimalisht mijërat dhe shumëfish numër klikimesh.

Edhe databaza e krijuar nga Rrjeti Europian për Standarded Fact-Checking ku kontribuojnë të paktën 40 organizata Fact-Checking që operojnë në Europë pasqyron si narrativë mbizotëruese prej 19 shkurtit e deri sot se lufta në Ukrainë është tematika e ‘preferuar’ për të dezinformuar opinionin.

Burimi: https://elections24.efcsn.com/statistics

Këto të dhëna marrin një domethënie të veçantë në periudha zgjedhjesh, siç është rasti i fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian që mbahen në fillim të qershorit 2024.

Kujt i intereson Dezinformimi në Zgjedhje

Olena Churanova, ka një shpjegim të qartë për rritjen e dezinformimit gjatë zgjedhjeve:

“Parti të ndryshme politike përdorin këtë temë për të fituar disa pikë dhe gjithashtu varet nga interesat e kësaj apo asaj partie. Për shembull, ne e dimë se në Evropë ka shumë parti që financohen nga Rusia. Këto parti do të shpërndajnë narrativat që u janë thënë të shpërndajnë, si përshembull që nuk ka nevojë të mbështetet Ukraina, nuk ka nevojë për ndihmë për Ukrainën, etj.”

Jeta në Ukrainë është si të luash përditë ‘Ruletën Ruse’

Për të përshkruar jetën në Ukrainë gjatë luftës, Churanova tregon realitetin e përditshëm të familjes së saj, të afërmve e kolegëve:

Është një dhjetëvjeçar ose më shumë që jetojmë në kushte mbijetese. Unë kam një djalë nëntë vjeç. Ai ka lindur gjatë luftës dhe nuk njeh realitet tjetër. Është shumë e vështirë ta shprehësh dhe ta pranosh që në shekullin 21 fëmijët e tu duhet të përjetojnë dhe të kuptojnë se çfarë është një raketë balistike, çfarë janë dronët. Djali im 9-vjeçar e di se çfarë është alarmi dhe e di që duhet të shkojmë në korridor. Ai e di ku ta vendosë dyshekun sa herë që dëgjon sirenat e alarmit.

Në të gjitha familjet tona dhe stafin tonë, kemi njerëz që shërbejnë në ushtri. Të jetosh në këto kushte për kaq gjatë, mund të ndikojë në shëndetin dhe emocionet.

Në Kiev kemi filluar të përjetojmë ndërprerje të energjisë elektrike, dhe për fat të keq, kjo do të bëhet një gjë e zakonshme për ne. Duhet të punojmë në këto kushte, duhet të përshtasim grafikun tonë të punës me atë të ndërprerjes së energjisë.“ – thotë gjatë bisedës Churanova teksa e ilustron bisedën duke na treguar në telefonin e saj, momente në kushtet e mungesës së energjisë elektrike.

Kiev, mëngjes i zakonshëm pa energji elektrike në shtëpinë e Olena Churankova

Disa kolegë të Olena Churanovës janë larguar nga Ukraina dhe vazhdojnë të punojnë si verifikues të fakteve larg vendit të tyre.  

“Për mua dhe për familjen time, vendosa që nuk do të ikim. Sepse është vendi im. Dhe për mua, psikologjikisht gjithsesi është më mirë të jem atje, të jem në vendin tim.” – thotë gazetarja.