Pretendimi: Lija e majmunëve është efekt anësor i vaksinave kundër Covid-19
Verdikti: I pavërtetë
Shpallja e një emergjence globale ndaj sëmundjes së Lisë së majmunit ka ngjallur një sërë teorish konspirative në rrjetet sociale. Një prej tyre është dhe mendimi se kjo sëmundje është efekt anësor i vaksinave kundër Covid-19 që u imponuan nga qeveritë.
Si provë për këtë pretendim sillet intervista e një mjeku italian, Dr. Giobaninit.
“Lija e majmunëve është herpes zoster i shkaktuar nga vaksinat kundër Covid që ata injektuan tek njerëzit. Dy vite më parë u tha se e ashtuquajtura vaksinë po shkaktonte një shpërthim të herpes zoster. Sot na thonë se është lija e majmunëve dhe njerëzit ende i besojnë këto gënjeshtra!”, thotë ndër të tjera mjeku në intervistë.
Personi në intervistë është Dr. Franco Giovannini, i njohur në qarqet anti-vaksinim në Itali pasi ai pretendon se ka gjetur gjurmë grafeni në gjakun e personave të vaksinuar. Deklaratat në fjalë, përveçse nuk janë mbështetur nga burime, janë verifikuar tashmë si të pabazuara.
Duke verifikuar më tej pretendimet e doktorit italian, nevojitet të sqarohet se lija e majmunëve është një sëmundje virale, e cila u identifikua për herë të parë në vitin 1958 te majmunët që mbaheshin për kërkime, nga ku mori dhe emrin. Ajo mund të transmetohet midis kafshëve, midis njerëzve dhe midis kafshëve dhe njerëzve. Sëmundja transmetohet nga kontakti i ngushtë me plagët, lëngjet trupore dhe materialet e kontaminuara siç është shtrati.
Ka pasur disa shpërthime të lisë së majmunëve te njerëzit në të kaluarën, si në disa vende afrikane ku sëmundja është endemike, ashtu edhe në vende të tjera ku ajo është përhapur.
Virusi Covid-19 ose vaksinat kundër tij u zhvilluan rreth 6 dekada më vonë se ky zbulim i sëmundjes së lisë. Si rrjedhojë, pretendimi se lija është një pasojë e vaksinimit nga Covid-19 është jo i logjikshëm.
Mjekët kanë rrëzur edhe një sërë mitesh të tjera që lidhin linë e majmunëve me vaksinat kundër Covid-19.
Kolegët e Full Fact në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë gjithashtu një përgjigje nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e MB-së (UKHSA), ku konfirmohet se nuk ka asnjë provë deri më sot për një lidhje shkakësore midis vaksinimit kundër COVID-19 dhe lisë së majmunëve.