Pretendimi: Nëse Toka do të ishte e rrumbullakët, nuk do të kishte si të dallohen brigjet e Shqipërisë nga Puglia e Italisë në një mot të kthjellët.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Konspiracionistët e Tokës së Sheshtë pretendojnë se kurbatura e Tokës është mashtrim dhe se, nëse kjo e fundit do të ekzistonte, “nuk ka si të dallohen brigjet e Shqipërisë nga Puglia e Italisë në një mot të kthjellët.”
Postimi i sipërm pretendon se, nëse kurbatura e Tokës do të ekzistonte, një njeri në sipërfaqen e saj do të mund ta shihte këtë kurbaturë me sy të lirë.
Megjithatë, ky pretendim nuk konsideron perspektivën.
Njerëzit janë krijesa mjaft të vogla që jetojnë në një sferë shumë të madhe. Një i rritur mesatar është 1.5 deri në 2 metra i gjatë, dhe fëmijët janë edhe më të vegjël.
Imagjinoni që jeni një akrobat cirku që qëndron mbi një top që është rreth 1 metër i gjerë. Nga maja e topit, do ta shihnit kurbaturën e tij nën këmbët tuaja në të gjitha drejtimet.
Tani imagjinoni një mizë të vogël në atë top cirku. Fushëpamja e saj ndoshta do të ishte një milimetër mbi sipërfaqe. Meqenëse miza është shumë më e vogël se topi dhe fushëpamja e saj është afër sipërfaqes, ajo nuk mund ta shohë të gjithë topin.
Toka është rreth 12.8 milionë metra e gjerë, ndërsa edhe këndvështrimi i një të rrituri të gjatë është vetëm rreth 2 metra mbi sipërfaqen e saj.
Nuk ka asnjë mënyrë që sytë tanë të perceptojnë madhësinë e Tokës sferike kur ne qëndrojmë mbi të. Nuk mund të dallosh se Toka është një sferë edhe nëse ngjitesh në majën e malit Everest, i cili është 8,850 metra mbi nivelin e detit.
Mënyra e vetme për të parë kurbaturën e Tokës është të fluturosh më shumë se 10 kilometra mbi sipërfaqen e saj.
Kjo sepse gjatësia e horizontit që ne shohim varet nga sa lart jemi mbi sipërfaqen e Tokës. Duke qëndruar në sipërfaqen e tokës pa asgjë që na pengon shikimin, sytë tanë mund të shohin rreth 4.8 kilometra të horizontit. Kjo nuk është mjaftueshëm nga perimetri i planetit për të parë vijën e horizontit që fillon të tregojë kurbaturën e saj.
Njerëzit e kanë ditur që Toka është një sferë për më shumë se 2000 vjet. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticeve verore dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Që atëherë, shkencëtarët kanë zbuluar vetëm më shumë prova se kjo është e vërtetë – duke përfshirë shikimin e vetë Tokës nga hapësira.