Pretendimi: Imazhi i Statujës së lirisë nga rrënojat e luftës është një akuzë ndaj ShBA
Verdikti: E pavërtetë
Një përdorues i Facebookut ka shpërndarë një foto në të cilën thuhet se është krijim i një artisti sirian, dhe e ka realizuar veprën nga rrrënojat e luftës duke rikrijuar statujën e Lirisë.
Përdoruesi ka “cituar” edhe autorin e veprës: “Kjo është liria që na kanë dhuruar”.
Është e vërtetë që imazhi u krijua nga një artist sirian, Tammam Azzam, në 2012 duke u shpërndarë disa herë në periudha të ndryshme. Megjithatë ajo u krijua në mënyrë digjitale duke përdorur fotografi të ndryshme nga rrënojat e bombardimeve në vendin e tij gjatë luftës civile. Kjo theksohet edhe në titullin që shoqëron foton, ku theksohet se është Fotomontazh.
Në një intervistë në 2016, Azzam tha që ishte i befasuar nga ‘interpretimi i gabuar’, që fotoja kishte marrë së fundmi, krahasuar me reagimet më pozitive që mori në 2012. Shumë nga këto ripostime kanë lënë të kuptohet se mesazhi i veprës së artit ishte një akuzë ndaj Amerikës
“Imazhi në atë kohë mbante një mesazh optimizmi, pavarësisht nga të gjitha shkatërrimet në Siri, dhe nuk ka dashur t’i dërgojë asnjë mesazh Shtetve të Bashkuara” u shpreh ai në intervistën për Al Arabiya.
Kur Azzam postoi për herë të parë imazhin, vendi i tij i lindjes, Siria, ishte një vit e gjysmë në një luftë civile që do të vriste qindra mijëra dhe do të zhvendoste miliona të tjerë.