Pretendimi: Komandanti i KFOR-it ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet pa konsultime
Verdikti: I pavërtetë
Nisma e qeverisë së Kosovës për të hapur qarkullimin mbi urën e lumit Ibër dhe kundështimi nga autoritetet ndërkombëtare, është kthyer në debatin kryesor të këtyre ditëve të fundit në Kosovë. Mes shumë zërave pro dhe kundër këtij veprimi që do të sillte heqjen e kontrolleve të KFOR mes banorëve shqiptarë dhe komunitetit serb në qytetin e Mitrovicës, në disa portale kosovare është ndarë një citim i komandantit turk të KFOR-it, Özkan Ulutas.
Sipas këtyre lajmeve, Ulutas ka deklaruar se “Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se duhet të hapet pa konsultime”. Lajmi është ndarë më pas edhe në media të ndryshme shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni.
Lajmi shoqërohet edhe me një foto të një takimi të komandantit turk dhe kryeministrit kosovar.
Në të vërtetë, më 13 gusht, Albin Kurti, priti në takim Ulutasin dhe diskutuan ndër të tjera hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Deklarata zyrtare e qeverisë së Kosovës rreth këtij takimi nuk e përmend në asnjë pjesë të saj një qëndrim kaq bujar të drejtuesit të trupave të KFOR.
Gjithashtu, KFOR-i u kujdes në komunikatën për media të lëshuar pas takimit, të konsultuar nga kolegët tanë të hybrid.info që të theksojë se “çdo vendim për urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar”.
Një qëndrim i tillë në linjë me deklaratat e diplomatëve kryesorë të huaj në Kosovë është normal duke patur parasysh që komandanti turk Ulutas duhet të flasë dhe veprojë nën mandatin e të gjitha vendeve të NATO-s që janë pjesë e misionin ndërkombëtar KFOR.