BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookReklama për burrat shtatzënë, fushatë ironike e konservatorëve në SHBA

Reklama për burrat shtatzënë, fushatë ironike e konservatorëve në SHBA

Një reklamë e vendosur në një tabelë në qytetin e Atlantës në Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishte për qëllim propagandimin e politikave konservatore, po qarkullon në rrjet si promovuese e grupimit LGBT+. Faktoje vërtetoi se tabela jo vetëm nuk mbështet “të drejtat riprodhuese të burrave”, por në të vërtetë synon pikërisht të kundërten.

Jona Plumbi

Një imazh i publikuar në Twitter në 10 dhjetor 2022, ku tregohet një tabelë reklamuese që shfaq një burrë që duket të jetë shtatzënë, e shoqëruar me fjalët “Të gjithë burrat kanë të drejtë të mbesin shtatzënë. Mbështesni lirinë për t’u riprodhuar” ka bërë xhiron e rrjetit në shtete të ndryshme dhe është shpërndarë edhe në Shqipëri, si provë se “shoqëria po shpërbëhet”.

Me një kërkim në rrjet për imazhin në fjalë, “Faktoje” arriti të zbulojë publikimin origjinal të kësaj reklame, e cila është paguar nga “Citizens for sanity Inc.” Kjo e fundit është një komitet i veprimit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka prodhuar reklama në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në Amerikë që u mbajtën në 7 Dhjetor 2022, duke mbështetur kauzat konservatore. Thënë ndryshe, kjo organizatë përfaqëson interesa tregtare, sindikale apo ideologjike duke përdorur donacione private për të favorizuar zgjedhjen e një ose më shumë kandidatëve.

Në faqen e saj zyrtare, Citizens for Sanity e përshkruan misionin e saj si “rikthimin e logjikës së shëndoshë në Amerikë, theksimin e rëndësisë së logjikës dhe arsyes si dhe luftimin e fenomenit “wokeism” dhe ideologjive të mendimit jo-kritik që kanë pushtuar çdo sektor të shtetit dhe kërcënon vetë liritë që janë në themel të ëndrrës amerikane.” Kuptimi i fjalës “wokeism” në fjalor është “promovimi i ideologjisë dhe politikave liberale progresiste si shprehje e ndjeshmërisë ndaj padrejtësive sociale dhe politike”. Në faqen e kësaj organizate shfaqen edhe imazhe të mesazheve politike dhe sociale të vendosura në tabela të mëdha në shtete të ndryshme të Amerikës.

Edhe “reklama” me imazhin e burrit shtatzënë është pjesë e fushatës së kësaj organizate. Tabela me mesazhin “Të gjithë burrat kanë të drejtë të ngelin shtatzënë” është shfaqur në qytetin e Atlantës në Xhorxhia, madje është publikuar edhe në gazetat e këtij shteti, me mesazhin: “Warnok dhe Biden mendojnë se burrat mund të ngelen shtatzënë”. Mesazhet janë publikuar të gjitha përpara datës së zgjedhjeve që u mbajtën në 6 Dhjetor në Xhorxhia, mes senatorit Raphael Warnok (Demokrat) dhe Herschel Walker (Republikan), me qëllim ndikimin e zgjedhjes së votuesve.

Qëllimi i mesazhit është dukshëm ironik, dhe lidhet me një debat të krijuar mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka rikthyer “në tavolinë” diskutimin për lejimin apo jo të abortit. Debati ka arritur në pikën e përplasjes për përkufizimin e fjalës “grua” dhe “personave që kanë mundësi të mbeten shtatzënë”. Debati kulmoi në 7 Dhjetor 2022 kur demokratët në senat votuan kundër një amendamenti të senatorit Marco Rubio, i cili donte të qartësonte se vetëm femrat mund të ngelin shtatzënë.

Në 5 nëntor, Citizens for Sanity shpërndau në Twitter publikimin në gazetë të reklamës së tyre me mesazhin ironik “Hej Xhorxhia a e dini që Reverend Warnock beson se burrat mund të mbesin shtatzënë?”

Republikanët në amerikë filluan të shpërndanin mesazhe se “demokratët besojnë se burrat mund të mbesin shtatzënë”, si pjesë e fushatës politike që lufton politikat liberale dhe kërkon përcaktimin qartë se mundësinë për të mbetur shtatzënë e kanë vetëm gratë.

Ndaj, reklama që shfaqet në foton e publikuar në rrjet, jo vetëm nuk mbështet idenë e meshkujve shtatzënë, por në fakt ka për qëllim të kundërtën, talljen me senatorët amerikanë, të cilët refuzojnë të limitojnë “mundësinë për të mbetur shtatzënë” vetëm për gratë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img