Pretendimi: George Soros ka qenë një ushtar SS në rininë e tij
Verdikti: E pavërtetë
Akuzat në rrjet për financierin filantrop George Soros nuk kanë asnjë kufizim, por njëra prej tyre është edhe më e pabesueshme se kushdo tjetër. Përdorues në Facebook po ndajnë së fundi pretendimin se Soros ka qënë në rininë e tij një SS. Si provë për këtë ndahet foto e një ushtari të ri në uniformën e ushtrisë naziste.
“George Soros – një SS në partinë nacional-Socialiste të punëtorëve gjermanë. Ai shërbeu nën Adolf Hitlerin dhe Heinrich Himlerin. Ai thoshte se ishte koha më e mirë e jetës së tij”, shkruhet në postimin që shoqëron fotot.

Për të rrëzuar këtë hipotezë mjafton të përmendim se Soros ka lindur më 12 gusht 1930 në një familje hebreje në Hungari, duke qënë një i mbijetuar nga nazismi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila daton nga viti 1939 deri në vitin 1945, ai ishte ende një fëmijë 9-15 vjeçar. Gjithashtu Soros ishte shumë i ri për të qenë djali në foton me uniformën naziste.
Nga verifikimi në motorin e kërkimit të fotove Google Lens, zbulojmë se djaloshi në foton me uniformën e SS është Oskar Gröning, i njohur si “kontabilisti i Aushvicit”. Ai është një nga nazistët e fundit të mbijetuar që u gjykua në vitin 2015, në moshën 94 vjeçare, për angazhimin e tij si ushtarak në kampin famëkeq të përqendrimit. Ai kishte detyrën të numëronte paratë dhe sendet me vlerë që të burgosurit e sapoardhur i linin pas, dhe t’i dërgonte ato te SS në Berlin.
Gröning u hetua për herë të parë në vitin 1977, por procedura u ndërpre në mars 1985 nga zyra e prokurorit publik të Frankfurtit për shkak të mungesës së provave. Pas shumë vitesh, ai u përball me akuza penale për rolin e tij në krimet e Luftës por vdiq përpara se të niste ndëshkimin me 4 vite burg që iu akordua.