Pretendimi: Hëna është më e madhe se Toka po të krahasosh fotot e NASA

Verdikti: E pavërtetë

Rrjetet sociale kanë potencialin për të shpërndarë teoritë që kundërshtojnë pa prova faktike studimet shkencore duke krijuar një zinxhir dezinformatash.

Një mit i tillë i përsëritur është forma dhe madhësia e planetit tonë. Për të vendosur në dyshim studimet e deritanishme, sillet si provë madhësia e hënës në krahasim me tokën në disa foto të ndryshme të NASA.

Shumë nga imazhet që përdoren për të përhapur mitin mbi madhësinë e Hënës vijnë nga misionet Apollo, veçanërisht misioni i famshëm Apollo 11 në vitin 1969. Një imazh, i marrë nga anija kozmike, tregon Tokën dhe Hënën në të njëjtën kornizë. Për shkak se anija kozmike ishte shumë më afër Hënës sesa Tokës, Hëna duket shumë më e madhe në këtë imazh.

Pretendimet për madhësinë e hënës duke krahasuar fotot e NASA, mund të shpjegohen me anë të perspektivës të imazhit. Sa më larg të jetë objekti, aq më i vogël do të duket në imazhin që krijohet, ndërsa sa më afër të jetë objekti, aq më i madh do të duket. Ky është një parim themelor i fotografisë që ndihmon për të kuptuar ndryshimet e përmasave të objekteve të ndryshme në foto.

Kur shohim imazhe të Hënës të bëra nga hapësira, ndonjëherë ajo mund të duket më e madhe në krahasim me Tokën dhe kjo për shkak të këndit dhe largësisë së aparatit nga planetët. Kjo vihet re qartazi edhe në fotografitë e famshme të “Earthrise” ose “Blue Marble” nga misionet Apollo.

Në të vërtetë Toka është afërsisht katër herë më e madhe në diametër se Hëna, dhe madhësia e saj e madhe shpesh është e vështirë të kapet në mënyrë efektive në fotografitë e bëra në afërsi të Hënës. Diametri i Tokës është afërsisht 12,742 km ndërsa diametri i Hënës përllogaritet afërsisht 3,474 km.