Në rrjete sociale po qarkullon një artikull që pretendon se një raport i OKB-së ka bërë thirrje për dekriminalizimin e seksit midis të rriturve dhe fëmijëve. Verifikimet tregojnë se përse ky pretendim është i pavërtetë.

Përdorues të ndryshëm të rrjeteve sociale po qarkullojnë një artikull që pretendon se përmes një raporti të fundit Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)  rekomandon dekriminalizimin e seksit midis të rriturve dhe fëmijëve. Ky pretendim është ndarë menjëherë nga shumë përdorues që normalisht janë ndjerë të shokuar nga një ndryshim i tillë i traditës dhe normale morale të legjitimuara në shoqëritë tona.

Postimi në 16 prill i një profili shqiptar në Facebook, e cilëson këtë normativë të OKB si një legalizim të pedofilisë: “Kombet e Bashkuara lëshuan një raport muajin e kaluar duke urdhëruar qeverinë të fillonte legalizimin e seksit midis të rriturve dhe të miturve, si pjesë e një përpjekjeje për të normalizuar pedofilinë.”

Postimi normalisht që ka marrë dhjetra reagime nga përdorues të irrituar me këto ndryshime ligjore. Nga verifikimet rezulton se lajmi është i rremë ashtu si shumë narrativa të tjera të krijuara nga propaganda ruse për të denoncuar “degjenerimin moral të Perëndimit” dhe që për fat të keq amplifikohet më tej nga media dhe grupimet me bindje konservatore apo forca populiste.

Në fakt, raporti mbi të cilin ngrihen pretendimet është i vërtetë. Ai është publikuar më 8 mars 2023 nga UNAIDS. ( Një kopje të raportit të plotë e gjeni këtu). Problemi qëndron tek interpretimi i tij.

Së pari duhet theksuar se raporti në fjalë është shkruar nga Komiteti Ndërkombëtar i Juristëve (ICJ), i cili nuk është strukturë e Kombeve të Bashkuara, por është një organ i veçantë dhe i pavarur. Pra, teknikisht, nuk është një raport i OKB-së.

Përsa i përket pjesës së raportit, të denoncuar si thirrje për legalizimin e seksit me fëmijë, bëhet fjalë për “Principin 16 – Sjellja seksuale me konsensus”, e publikuar në faqen 22 të raportit.

Në këtë pjesë ekspertët e ICJ rekomandojnë që detyrimet dhe të drejtat në legjislacionin kombëtar të garantojnë që të mos ketë njëashmëri në favor të një gjinie apo moshe.

Përsa i përket, paragrafit të mëposhtëm, aty ku flitet për moshën minimale të dhënies së konsensusit seksual, duhet të sqarohet ku qëndron keqinterpretimi.

Teksti bën thirrje për zbatimin e duhur të konceptit të moshës minimale të pëlqimit, duke marrë parasysh mundësinë që të rinjtë/adoleshentët të jenë të pjekur për t’u përfshirë në sjellje seksuale konsensuale dhe të kenë të drejtën për t’u dëgjuar.

Ashtu siç është verifikuar më tej edhe në Techarp.com, ky rekomandim vjen për shkak se ekzistojnë rregullime ligjore në shtete të ndryshme, të cilat mund të penalizojnë adoleshentët.

“Në studimin e tij të vitit 2013 për aktivitetin seksual të adoleshentëve në ShBA, Instituti Guttmacher vuri në dukje se në kohën kur ata mbushin 16 vjeç, rreth e 1/3 e adoleshentëve kanë bërë seks, duke u rritur në gati gjysma (48%) në moshën 17 vjeç dhe 61% kur mbushin 18 vjeç”, thuhet në artikullin e Techarp.

Ndërkohë, shumica e shteteve të SHBA-së e vendosin moshën e pëlqimit për marrëdhënie seksuale në 16 vjeç, ndërsa Arizona, Dakota e Veriut, Oregoni dhe Virxhinia, e kanë përcaktuar moshën e tyre në 15 vjeç.

Kjo sepse adoleshentët konsiderohen nga legjislacioni kombëtar i këtyre shteteve si të aftë për të dhënë pëlqimin, edhe pse OKB-ja ende i konsideron ata si “mitur” për shkak se janë nën 18 vjeç.

Me fjalë të tjera – raporti nuk kërkon heqjen e moshës minimale të pëlqimit, por kërkon që organet e rendit të marrin në konsideratë mendimet/dëshmitë e adoleshentëve në rastet e konsensusit të dhënë prej tyre për kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Në asnjë vend të raportit nuk përmendet aktiviteti seksual mes të rriturve dhe fëmijëve dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja nuk bën thirrje për dekriminalizimin e aktivitetit seksual midis të rriturve dhe fëmijëve.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.