Pretendimi: Hashim Thaçi lirohet nga paraburgimi në Hagë
Verdikti: E pavërtetë
Kur Kosova po përgatitet që t’i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin e ri të vendit në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi për lirimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi nga paraburgimi në Hagë.
Postimi nga një profil në rrjetin Facebook e njofton këtë si një zhvillim të fundit duke krijuar natyrshmë interes tek lexuesit.
Ky zhvillim i rëndësishëm nuk shoqërohet me ndonjë burim të besueshëm apo detaje që të provojnë vërtetësinë e informacionit. Lirimi i ish-kryministrit në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë sigurisht që nuk do të kalonte në heshtje.
Përkundër këtij postimi, sipas njoftimit të Gjykatës Speciale që po gjykon ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e Kosovës, në 5 dhjetor 2024 atij iu dorëzua në dhomat e paraburgimit në Hagë një urdhër i ri arrestimi nën akuzën e ndikimit mbi dëshmitarët në procesin ndaj tij.
Më 6 janar 2025, dy ditë përpara postimit që pretendon lirimin, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij. Ky qëndrim u prezantua në formë të shkruar, pasi ai nuk pranoi të dëshmojë para gjykatëses.
Akuza kryesore për krime lufte ndaj Hashim Thaçi dhe 3 drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020 nga Gjykata Speciale duke sjellë edhe izolimin në dhomat e paraburgimit në Hagë.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë.
Si një konfirmimin i mëtejshëm, raportohet nga mediat në Kosovë se Endri, djali i Thaçit, postoi në 31 dhjetor 2024 një foto së bashku me gjyshin e tij, duke shprehur urimin që festat e ardhshme t’i festojnë së bashku me babain që ndodhej këtë vit të ri në izolim.