Pretendimi: Seriali “The Simpson” parashikoi fundin e Izraelit në vitin 2024

Verdikti: E pavërtetë

Serialit vizatimor amerikan “The Simpsons” i ngarkohen aftësi parashikuese për çdo ngjarje të rëndësishme në botë. Një prej këtyre parashikimeve është dhe ai i fundit të Izraelit, të publikuar pas nisjes së raketave nga Irani.

Foto që ka qarkulluar në rrjete sociale, shfaq Homer Simpson, personazhin e njohur të “The Simpsons”, duke ngritur një dolli përpara një varri. Në pllakatën e varrit shfaqet i gdhendur flamuri i Izraelit me datat 1948-2024.

Postimi u komentua nga përdoruesit me fraza si “ndoshta The Simpsons kanë qëlluar në shenjë sërish”.

Megjithatë, ky imazh është krijuar digjitalisht dhe përhap një lajm të rremë. Antonia Coffman, konsulente ekzekutive e “The Simpsons”, deklaroi për kolegët tanë verifikues italianë të Facta.news se ky është një imazh i manipuluar dhe se Homer nuk është shfaqur kurrë në këtë pamje në asnjë episod të serisë.

Imazhi u shpërnda fillimisht më 7 shtator në X nga një profil kritik ndaj politikave të shtetit izraelit. Po ashtu, në etiketën e shishes që mban Homer, shkruhet “Meter”, një referencë që shfaqet gjithashtu në imazhe të tjera të rreme nga kjo llogari.

E njëjta skenë është përdorur në meme të tjera që nga maji 2024, por në atë rast, varri kishte emrin e presidentit francez Emmanuel Macron. Në të dyja rastet, imazhet janë të rreme.