Pretendimi: 85 njerëz në ShBA zotërojnë pasuri po aq sa 330 milionë amerikanë të tjerë

Verdikti: Mungon konteksti

Hapja e tregjeve dhe globalizimi shihen si një mundësi për të rritur mirëqënien e njerëzve të varfër kudo, por njëkohësisht po krijojnë edhe më shumë fitime për të pasurit. Një statistikë e tillë e pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave është ndarë së fundi në rrjetet shqipfolëse duke pretenduar se “85 njerëz në Shtetet e Bashkuara zotërojnë pasuri po aq sa 330 milionë amerikanë të tjerë”. Natyrshëm që ky raport krijon zemërim tek komentuesit.

Për fat të mirë, kemi të bëjmë ende me një keqinterpretim të statistikave zyrtare. Zanafilla e pretendimit duket se bazohet në një raport të organizatës së të drejtave Oxfam, i prezantuar në vitin 2014. Në këtë studim arrihej në konkluzionin se 85 njerëzit më të pasur zotëronin pasuri të njëjtë me atë të 3.5 miliardë njerëzve më të varfër në botë.  

Raporti i Oxfam theksonte se pasuria e miliarderëve ishte dyfishuar që nga viti 2009, ndërkohë që pasuria e 50% më të varfër të popullsisë botërore kishte rënë. Për të kuptuar dimensionet e pabarazisë, Oxfam përdori të dhëna nga Credit Suisse dhe lista e miliarderëve e Forbes.

Pra, ndryshe nga postimi provokues, raporti i pabarazisë së të pasurve është ngritur jo mbi të ardhurat e 330 milionë qytetarëve amerikanë, mes të cilëve edhe ata me të ardhura të larta dhe të mesme.

Në periudhën e raportit, Shtetet e Bashkuara qëndronin në krye të kësaj liste, me 35 prej këtyre individëve që janë qytetarë amerikanë dhe që bashkë kanë një pasuri totale prej 941 miliardë dollarësh. Pas SHBA-së, pasonin Gjermania dhe Rusia, secila me nga shtatë individë që janë pjesë e këtij grupi të pasur.

Të dhënat flasin për një mbizotërim të më të pasurve në ShBA edhe në renditjen e Forbes në vitin 2024.

Statistika e shpërndarë për 85 njerëzit më të pasur në Shtetet e Bashkuara është një keqkuptim i të dhënave që flasin për një fenomen global, përqendrimin e pasurisë në duar të pakta dhe pabarazinë ekonomike që ka goditur të gjithë botën dhe jo vetëm në SHBA.