Pretendimi: Këto pamje të një harte provojnë se toka është e sheshtë

Verdikti: E pavërtetë

Pamjet e krijuara nga një artist digjital, që tregon një hartë të imagjinuar të një bote pas një “muri akulli” që mbulon periferi të tokës, është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar një valë diskutimesh dhe keqkuptimesh.

“Ja bota reale” janë fjalët e përdorura më së shumti nga individët që besojnë në teoritë e tokës së sheshtë. Një postim në Facebook përmban të njëjtat fjalë bashkëngjitur me një video në të cilën tregohet toka e sheshtë.

Në të vërtetë, kjo hartë, e cila ka marrë popullaritet të madh në disa grupe online, është pjesë e një projekti të quajtur “The world beyond the ice wall”, një aventurë bashkëpunuese e ndërtimit të botës që përfshin një gamë të gjerë temash, duke përfshirë teoritë e komplotit, mitologjinë, histori alternative dhe shumë më tepër. Ajo paraqet një koncept të imagjinuar të një bote të sheshtë, ku përtej një muri të akullt që ndan botën e njohur nga një perëndim akullor, ndodhen kontinente të panjohura dhe të banuara.

Ky projekt është një sintezë e fantazisë, teorive të çuditshme dhe komplotet e njohura të internetit për ekzistencën e botëve paralele apo jashtëtokësorëve.

Ndërsa kjo foto është një punë artistike, ajo është përdorur nga disa individë që besojnë teoritë e tokës së sheshtë si një “provë” për të mbështetur idenë se Toka është në fakt një disk dhe se përtej asaj që quhet Antarktidë ndodhen kontinente të tjera.

Faktoje.al ka verifikuar edhe më parë variante të kësaj harte fantashkencore, që ndahen si provë për të mbështetur formën e sheshtë të tokës.

Agjencia NASA i ka dedikuar gjithashtu hapësirë demaskimit të kësaj teorie komplotiste.

“Njerëzit e dinë që Toka është e rrumbullakët prej më shumë se 2000 vitesh. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticit të verës dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Ata përdorën pozicionet e yjeve dhe yjësive për të vlerësuar distancat në Tokë. Ata madje mund të shihnin hijen e rrumbullakët të planetit në hënë gjatë një eklipsi hënor. Ne ende mund ta shohim këtë gjatë eklipseve hënore. Sot, shkencëtarët përdorin gjeodezinë, e cila është shkenca e matjes së formës, gravitetit dhe rrotullimit të Tokës. Gjeodezia ofron matje të sakta që tregojnë se Toka është e rrumbullakët”, argumenton NASA