.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGreqia nuk tentoi të pushtonte Shqipërinë në vitin 1997

Greqia nuk tentoi të pushtonte Shqipërinë në vitin 1997

Pretendimi: Telefonata nga kryeministrja turke shpëtoi Shqipërinë nga pushtimi grek në vitin 1997

Verdikti: E pavërtetë

Ngrirja gjatë muajve të fundit e marrëdhënieve në nivel politik mes Shqipërisë dhe Greqisë pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri, ka rindezur narrativën nacionaliste në të dyja vendet.  Në këto temperatura të nxehta, po riqarkullon në rrjetet sociale aludimi për përfshirje të Greqisë në rebelimin e vitit 1997 në vendin tonë.

Një video mbi 5 minutëshe, e publikuar në 30 prill nga media online “BalkanPress”, nën titullin “Telefonata që shpëtoi Shqipërinë nga pushtimi grek në vitin 1997”, ka ngjallur interes duke marrë qindra pëlqime dhe komente nga përdoruesit.

Postimi në profilin në Facebook të BalkanPress

Materiali filmik prezanton ngjarjet e trazuara të vitit 1997, duke vënë në dukje ndërhyrjen e zv.kryeministres turke të asaj periudhe, Tansu Çiller, në garantimin e kufijve shqiptarë. Sipas videos, “në kuadër të operacionit ndërkombëtar Alba, një mijë ushtarë grekë të udhëhequr nga zv.ministri i jashtëm Giannos Kranidiotis hynë brenda territorit shqiptar për të aneksuar Jugun e Shqipërisë. Kryeministrja e Turqisë i dha ultimatum Greqisë se nëse brenda 24 orëve nuk tërhiqen trupat greke, do t’ju pushtojmë brenda një ore. Kush prek Shqipërinë ka prekur dhe Turqinë”.

Për të mbështetur këtë pretendim, video i referohet kujtimeve të kolonelit në pension, Hajro Limaj, në atë periudhë në detyrën e atasheut ushtarak shqiptar në Ankara.

Në fakt, trupat greke u futën në territorin shqiptar në vitin 1997, por jo si një forcë pushtuese, ashtu siç pretendohet në video. Ato ishin pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar Alba, që kishte si synim të ndihmonte qeverinë shqiptare për të rivendosur rendin në të gjithë territorin e vendit.

Nën kërcënimin e flukseve migratore të refugjatëve shqiptarë që kërcënonte të merrte përmasa alarmante, Italia kërkoi ngritjen e këtij misioni shumëkombësh, nën mandatin e Rezolutës 1101 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në përbërje të misionit ishin reparte ushtarake nga 11 vende të ndryshme dhe mes tyre edhe 800 trupa greke dhe 760 turke, të cilat u fokusuan kryesisht në misione të sigurimit të rendit, shoqërimit të ndihmave dhe trajnimin e trupave ushtarake shqiptare. Operacioni filloi ne 15 prill dhe mbaroi në 10 gusht 1997 pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare dhe rikthimit të stabilitetit, pa shënuar ndonjë konflikt apo tentativë për tejkalim të kompetencave të ndonjë trupe ushtarake. 

Përsa i përket “kërcënimit” turk ndaj Greqisë të asaj periudhe, në shtypin e kohës dhe librin e kolonej Limaj, është publikuar deklarata e zonjës Çiller, ku theksohej se “Turqia nuk do të qëndrojë spektatore ndaj përpjekjeve për të përçarë Shqipërinë dhe është e gatshme të japë çdo lloj ndihme. Ajo tashmë ka filluar përpjekjet e saj në kuadrin e NATO-s dhe OSBE-së. Gabimi i bërë me Bosnjën nuk duhet të përsëritet me Shqipërinë”.

Kjo dalje publike në Ankara është bërë në 29 mars, pra dy javë përpara nisjes së misionit Alba dhe kalimit të kufirit nga trupat ushtarake greke si pjesë e një regjimenti të këmbësorisë, nën misionin e OKB. Regjimenti grek u largua në muajin gusht, ashtu si të gjitha forcat e tjera nga Shqipëria.

Aimona Vogli
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img