BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSkena e filmit të Robert De Niro interpretohet si qëndrim pro Izraelit 

Skena e filmit të Robert De Niro interpretohet si qëndrim pro Izraelit 

Pretendimi: Aktori Robert De Niro del në mbrojtje të Izraelit duke u përplasur me një grup protestuesish pro-palestinezë

Verdikti: E pavërtetë

Artikuj të shpërndarë në mediat online në vendin tonë, por edhe në rrjetet sociale pretendojnë se aktori  i njohur, Robert De Niro është përplasur me një grup protestuesish pro-palestinezë.

Mjaft folët marrëzira”/ Robert De Niro del në mbrojtje të Izraelit dhe përplaset me protestuesit”-shkruajnë mediat online.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Artikulli i publikuar shoqërohet edhe me një video, ku shihet dhe dëgjohet De Niro duke bërtitur, i rrethuar nga një grup njerëzish.

“Ky nuk është një film”- thotë aktori. “Kjo është e vërtetë. Tani për tani ju duhet të dëgjoni, duhet të punoni, duhet të përfundoni punën tuaj”-thekson ai.

Duke përdorur këto fjalë të tij, mediat online dhe përdorues në rrjetet sociale kanë aluduar se Robert De Niro ka sulmuar protestuesit anti-izraelitë në Nju Jork.

Mirëpo, verifikimet e kryera nga kolegët e “Usa Today” tregojnë se video e aktorit duke bërtitur nuk ka lidhje me protestat pro-palestineze që po zhvillohen në kampuset e kolegjeve në të gjithë SHBA-në.

Zëdhënësja e kompanisë Netflix, Rabia Ahmad, tha për “USA Today” se video tregon De Niro duke bërë prova për miniserialin “Zero Day”. Xhirimet për këtë serial të Netflix po zhvilloheshin në qytetin e Nju Jorkut më 27 prill.

Stan Rosenfield, një zëdhënës i De Niro tha se një kalimtar e kishte kapur videon gjatë prodhimit të shfaqjes dhe kishte keqinterpretuar përmbajtjen e saj në mediat sociale.

“Video është një fragment i vogël nga seriali i Netflix “Zero Day”, ku personazhi i luajtur nga De Niro po i bërtet një grupi që janë paguar për të luajtur në këtë serial dhe se kjo ishte 100% pjesë e skenarit,” tha Rosenfield në një email për kolegët e “USA Today”.

Faktoje ka verifikuar edhe më herët informacione të rreme që tentojnë të përfshijnë aktorin e njohur, Robert De Niro në qëndrimet pro dhe kundër Izraelit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img