Faktoje shpalli këtë të enjte 4 artikujt më të mirë të konkursin kombëtar pë gazetarinë fact checking, pjesë e projektit të mbështetur nga programi MATRA, i Ambasadës Holandeze. Çmimi i parë që mban emrin e gazetarit të spikatur për integritetin dhe për brumojsen e brezave të gazetarëve të rinj, “Fatos Baxhaku”, iu dha gazetares Emeralda Keta për shkrimin “A po shkon mbështetja miliona euroshe e agroturizmit tek fermerët?”. Vlerësimet e konkursit u ndanë gjatë konferencës rajonale që Faktoje organizoi në Tiranë këtë të enjte më 6 prill, në kuadër të “Javës rajonale fact checking në Ballkanin Perëndimor”.
Ilda Hoxha
Faktoje organizoi këtë të enjte në Tiranë konferencën rajonale me temë: “Java fact-checking në Ballkanin Perëndimor”, ku pjesë e rëndësishme ishte edhe vlerësimi i fituesve të konkursit kombëtar për shkrimet më të mira fact checking. Ky konkurs zhvillohet për të dytin vit radhazi në kuadër të projektit “Forcimi i gazetarisë fact-checking në Shqipëri”, që zhvillohet nga Faktoje me mbështetjen e Ambsadës Holandeze në Tiranë. Për këtë çmim konkurruan 10 gazetarë.
Çmimi i parë, që mban emrin e një prej figurave të gazetarisë shqiptare, “Fatos Baxhaku”, iu dha gazetares Esmeralda Keta për shkrimin me titull: “A po shkon mbështetja miliona euroshe e agroturizmit tek fermerët?”(Kliko titullin për të lexuar artkullin).
Artikulli fitues verifikon mënyrën se si po mbështeten fermerët, një komunitet që preket drejtpërdrejt nga krizat e njëpasnjëshme. Në këtë artikull faktohet se pavarësisht mbështetjes nga BE, përgjithësisht subvencionohen biznese ekzistuese që i përdorin fondet për diversifikimin e tyre përmes një agroturizmi, por pa përfshirë fermerët.
“Është çmimi i njeriut që e veshi gazetarinë në Shqipëri me integritet. Është çmimi më i mirë që mund të marrë një gazetar, sepse na shtroi rrugën për ta parë gazetarinë jo vetëm thjesht një profesion.”-tha gazetarja Esmeralda Keta, fituesja e çmimit “Fatos Baxhaku”, e cila shtoi e emocionuar: “Ky profesion është mision, siç e ka bërë i nderuari Fatos Baxhaku, dhe unë vërtet jam mirënjohëse për Faktojen që na dha mundësinë, për të gjithë ata që e mbështesin gazetarinë, për të gjithë ata që e lexojnë gazetarinë, për të gjithë ata që kanë besim te gazetaria, sepse vetëm e vërteta të çliron, dhe vetëm e vërteta të ndihmon.”
Juria e përbërë nga gazetarë profesionistë dhe ekspertë të komunikimit, Elira Çanga, Erjon Tase dhe Besar Likmeta, vlerësoi me çmimin e dytë gazetaren Albina Hoxhaj për artikullin: “Yzberishti me 70 mijë banorë, pa shkolla e kopshte publike” (kliko titullin për të lexuar artikullin). Ai trajton një problematikë shumë emergjente, siç është mungesa e institucioneve publike arsimore në lagjet e krijuara pas viteve ‘90, kur Tirana përjetoi ndyshime të skajshme demografike, siç është Yzberishti, ku jetojnë mbi 70 mijë banorë, por nuk ka çerdhe, kopshte dhe shkolla publike, edhe pse ky ka qenë ndër premtimet kryesore gati një dekade më parë.
Fitues i çmimit të tretë u shpall gazetari Gëzim Hilaj, për shkrimin me titull: “Bicaj, shtëpia e Kulturës apo e takimeve elektorale?” (kliko titullin për të lexuar artikullin)
Artikulli trajton mungesën e jetës kulturore në zonat e Kukësit, ku arsimi dhe trashëgimia kulturore kanë arritur të mbijetojnë edhe në kohërat më të vështira. Ndonëse qarku i Kukësit, më i varfëri në Shqipëri po braktiset për një jetë më të mirë në Britaninë e Madhe, ka edhe nga ata që përpiqen të mbajnë gjallë me sa munden, shtëpinë e kulturës. Mirëpo, në vend të aktiviteteve argetuese dhe edukuese, shtëpia e kulturës në Bicaj po përdoret si vend takimesh elektorale.
Juria vlerësoi me çmimin e inkurajimit studenten e departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Rovena Kallço për shkrimin me titull: “Lavdari i Korçës, fshati turistik apo ‘fantazmë”? (kliko titullin për të lexuar artikullin)
Artikulli trajton se si shkelen premtimet ‘shumë të bukura për të qenë të vërteta’, sa herë që kandidatët dhe partitë politike kërkojnë të vjelin vota pa u lodhur. Rasti tipik është ai i fshatit Lavdar, pranë Korçës, ku mungojnë rrugët, ujësjellësi, qendra shëndetësore, pra çdo shërbim jetik, por që gjatë fushatës premtohet se do të shndërrohet në fshat turistik. Për të kuptuar sesa real është ky premtim, gazetarit i ka mjaftuar të vëzhgojë fillimisht se emri i fshatit nuk ekziston as në tabelat e rrugëve lidhëse të Korçës. Ndërsa verifikimi brenda fshatit, tregon se banorët e zhgënjyer nuk shohin zgjidhje tjetër përveçse të braktisin vendlindjen.
Kategorizimi i premtimeve dhe deklaratave të trajtuara në 10 shkrimet më të mira të konkursit, bazuar në metodologjinë fact checking është:
6 premtime të pambajtura
1 deklaratë e Vërtetë
2 deklarata Gjysmë të Vërteta
1 deklaratë e Pavërtetë
Mes 10 shkrimeve më të mira fact checking, ku përfshihen edhe ato të vlerësuara me çmim nga juria e konkursit kombëtar fact-checking, janë edhe ato të punuara nga gazetarët Jerola Ziaj në Vlorë, Emi Kalaja në Shkodër, Franko Saliasi në Kuçovë, Bardha Nergjoni në Elbasan, Elidona Syla në Tiranë dhe Ermir Hoxha në Sarandë. (Klikoni tek emri i gazetarit për të lexuar artikullin).