BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriLumasi krenar për historinë dhe potencialin turistik, ende nuk ka rrugë për banorët

Lumasi krenar për historinë dhe potencialin turistik, ende nuk ka rrugë për banorët

Lumasi, njihet pak ose aspak për thesaret e paçmuara historike, kulturore dhe natyrore, pasi fshati vuan mungesën e theksuar të infrastrukturës. Sivjet mbushen 4 vite nga premtimi i kryebashkiakut për riparimin e aksit rrugor rreth dy kilometra që lidh Lumasin me Kuçovën. Kushtet skandaloze të këtij aksi vështirësojnë përditshmnërinë e mijëra banorëve, duke nisur nga nxënësit, fermerët  e deri tek të moshuarit, që zgjedhin të mos shkojnë as në qendrën shëndetësore. Për ironi, në faqen online të bashkisë Kuçovë, Lumasi përmendet për pasuritë natyrore, por nuk gjendet asnjë projekt për rrugën lidhëse, aq jetike për zonën.

Franko Saliasi

Nëse kërkon emrin Lumas si fjalë kyçe në faqen zyrtare online të Bashkisë Kuçovë, shpaloset një histori befasuese mbi lashtësinë dhe burimet e jashtëzakonshme natyrore e njerëzore të zonës, ku 98% e popullsisë merren me bujqësi.

Screenshot i faqes zyrtare të Bashkisë Kuçovë me përshkrimin e Nj.A Lumas

Fotot dhe historia mikluese të shtyjnë ta vizitosh këtë zonë, por banorët e Lumasit nuk kanë ende rrugë.

Thuajse 2 kilometër rrugë, pjesë e aksit ndërlidhës të Njësisë Administrative Lumas me rrugën nacionale që duhet përshkuar për të shkuar në qytetin e Kuçovës është e shkatërruar dhe po ua sos durimin banorëve e kujtdo tjetër që halli e jo dëshira, e detyron të udhëtoje drejt kësaj zone.

Urë në rrugën që lidh Njësinë Administrative Lumas me aksin kombëtar Berat-Kuçovë, datë 15 shkurt 2023

Në vitin 2019, kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari premtoi ndërtimin e një rruge të re, në pjesën më të madhe mbi gjurmën e asaj ekzistuese, në mënyrë që të lidhej Njësia Administrative e Lumasit me qytetin e Kuçovës.

Natyrisht që kemi edhe objektivat e përmirësimit të infrastrukturës. Me rëndësi është ndërtimi i rrugës Kuçovë-Lumas, sepse Lumasi edhe pse pas reformës territoriale iu bashkua Bashkisë Kuçovë, akoma nuk e ka një rrugë që të lidhet me Kuçovën”, deklaroi Hajdari më 10 qershor 2019.

I njëjti premtim u riciklua nga kryebashkiaku më 23 korrik 2022 në takimin e kryebashkiakëve me kryeministrin Edi Rama, ku prezantuan arritjet dhe planet për investime në infrastrukturë.

Për ndërtimin e rrugëve ndërqytetase, duhet ta theksoj edhe pse nuk kam shumë kohë, bëhet fjalë për rrugën që do të lidhë qendrën e bashkisë me Njësinë Administrative Lumas, sepse është një njësi që i është bashkuar Bashkisë Kuçovë me reformën territoriale dhe sot nuk ka një rrugë lidhëse direkte me bashkinë”, u shpreh kryebashkiaku Hajdari.  

Kur kanë kaluar thuajse 4 vjet nga ky premtim që lidhet drejtpërdrejt me jetën e banorëve dhe zhvillimin e zonës dhe teksa afrohen zgjedhjet vendore 2023, ne bëmë një verfikim në Lumas.

Në mesin e muajit Shkurt, ne pamë nga afër gjendjen e rrugës lidhëse Lumas-Kuçovë.

Rruga prej 2 kilometrash që lidh qendrën e fshatit Lumas me pjesën tjetër të rrugës që përshkon fshatrat Lapardha 1 dhe 2, pra Njësinë Administrative me aksin kombëtar Berat-Kuçovë, ishte në gjendje të mjerueshme.

Terreni tregonte një panoramë ndryshe nga ajo çfarë kishte premtuar zoti Hajdari për banorët e kësaj zone, të cilët ankohen se nuk shkojnë dot të punojnë tokat e as në varreza.

Në fshat, makinat dhe autoambulanca kalojnë më vështirësi dhe njerëzit po neglizhojnë edhe vizitat te mjeku, pasi i zë frika të marrin rrugën për të shkuar në qendrën shëndetësore.

Këta të rinjtë përdorin më mirë motorrët e ne pleqtë kafshët e punës, sesa të blejmë makina dhe t’i shkatërrojmë këtu”, u shpreh një i moshuar teksa përshkonte rrugën në këmbë për në banesën e tij, pasi kishte bërë pazarin.

Rruga që lidh Njësinë Administrative Lumas me aksin rrugor nacional Berat-Kuçovë, datë 15 shkurt 2023

Nëse përshkon këtë aks, në këmbë ose me automjet, dallohet qartë se investimet kanë vite që mungojnë. Kërkuam për ndonjë tabelë që njoftonte projekte të afërta rikonstruksioni për rrugën apo urën lidhëse të fshatit Bardhaj me Njësinë Administrative ku marrin shërbimet, por nuk gjetëm.

Historikisht kemi vuajtur për një rrugë. Zona jonë këtej ka problem vetëm këtë rrugë. Në dimër bëhet thuajse e pakalueshme pas reshjeve të shiut. Na pengon të dërgojmë fëmijët në shkollë. Këta vijnë i hedhin ndonjë dorë granil kur ka fushatë, vetëm për fushatë!”, thotë Besniku, një fermer i cili përshkon çdo ditë me vështirësi rrugën e prishur.

Traseja e rrugës që i shërben rreth 2 mijë banorëve paraqitet në gjendje skandaloze, ashtu si edhe rruga që lidh këtë njësi me fshatin më të afërt Bardhaj, banorët e të cilit po ashtu duhet të marrin shërbimet shëndetësore apo administrative në ish-Komunën Lumas.

Ne nuk na intereson se ku i gjen bashkia lekët, ne duam rrugën. Na e kanë premtuar çdo fushatë, edhe në 2019, po ky rrugë s’na bëri po na merr edhe ujin. Vijnë na takojnë vetëm kur duan votat!” u shpreh një banore e fshatit Vodëz, e cila kishte ardhur me bashkëshortin për të blerë produkte në ditën e pazarit.

Edhe drejtuesit e furgonave që transportojnë pasagjerë dhe përshkojnë çdo ditë aksin Lapardha-Lumas shprehin revoltë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e këtij aksi rrugor, që në ditë me shi sipas tyre shndërrohet në një rrugë të pakalueshme.

Rruga që lidh Njësinë Administrative Lumas me aksin rrugor nacional Berat-Kuçovë, 15 shkurt 2023

Nuk ia vlen më barra qiranë-shprehet një tjetër banor, i cili transportin e produkteve e ka ‘zgjidhur’ duke përdorur kafshë pune.

Të njëjtën rrugë problematike duhet të përshkojnë edhe nëxënësit që frekuentojnë shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin “Shefqet Shuaipi”. Ky aks të çon drejt qendrës së Lumasit ku shkollohen nxënësit e fshatrave Mëndrakë, Belesovë, Pëllumbas, Bardhaj, Vodëz, Sheqëz.

Të indinjuar shprehen edhe mësues e punonjës të Njësisë Administrative dhe Qendrës Shëndetësore të fshatit, disa prej të cilëve duhet të bëjnë vajtje-ardhje rrugën nga Kuçova, Berati ose fshatrat përreth, për të ushtruar detyrën e tyre në Lumas në shërbim të banorëve.

Rruga që lidh Njësinë Administrative Lumas me aksin rrugor nacional Berat-Kuçovë, datë 15 shkurt 2023

Sakrifikojmë çdo ditë për të ardhur në punë se dhe për ne kosto është të rregullojmë makinat që na shkatërrohen këtu”- shprehen ata.

Banorë të tjerë tregojnë se fshati përshkohet edhe nga një përrua, që në rast reshjesh intensive bëhet i rrezikshëm për t’u kaluar, për shkak të mungesës së një ure.

Në lidhje me këtë problematikë, iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kuçovës, ku ndër të tjera e pyetëm nëse ka një projekt për ndërtimin e rrugës që lidhëse të Njësinë Administrative Lumas me Kuçovën.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kuçovë, 6 shkurt 2023

Zyrtarisht, ky institucion pranon se nuk është hartuar asnjë projekt për ndërtimin e rrugës, edhe pse është premtuar 4 vite më parë nga kryebashkiaku Hajdari.

“Në vijim të email-it tuaj për informacion, në lidhje me rrugën ‘Kuçovë-Lumas ju bëjmë me dije se Bashkia Kuçovë nuk ka hartuar asnjë projekt në lidhje me këtë rrugë dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë një vlerë në lidhje me koston e punimeve”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Kuçovës.

Përgjigjja e Bashkisë Kuçovë për Faktoje

Nëse do t’i referohemi publikimeve në faqen zyrtare të Bashkisë Kuçovë mbi projektet e planifikuara dhe ato të zbatuara shihet se mungon plani për rrugën e premtuar. Edhe në buxhetin afatmesëm 2022-2024 të kësaj bashkie, nuk është përfshirë konkretisht ndërtimi i rrugës Lumas-Kuçovë, por theksohet në mënyrë të përgjithshme:

Në Bashkinë Kuçovë rezulton të ketë 314 km rrugë lineare gjithsej, dukë përfshirë nga rrugët arteriale, deri tek ato të peisazhit dhe bujqësore. Sipas planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Kuçovë (2012) në qytetin e Kuçovës ka pasur 3.4 km rrugë lineare. Pra, Bashkia e sotme qëndron para sfidës për të rikonstruktuar, mirëmbajtur dhe mbështetur me shërbime një rrjet rrugor 90 fish rrugë lineare në krahasim me 11 vite më parë.

Screenshot nga projektbuxheti afatmesëm 2022-2024

Njësia Administrative Lumas, më parë ka qenë një komunë, që me ndarjen e re Administrative të vitit 2015 u bë pjesë e Bashkisë Kuçovë.

Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e vitit 2019 nga kryebashkiaku i Kuçovës për rikonstruksionin e rrugës Lumas, ta kategorizojmë të pambajtur.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img