BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingLavdari i Korçës, fshati turistik apo “fantazmë”?

Lavdari i Korçës, fshati turistik apo “fantazmë”?

Në fushatën zgjedhore 2021 u premtua se Lavdari, një fshat mes Korçës dhe Voskopojës do kthehej në zonë turistike. Një verifikim në mars 2023 tregoi mungesë totale interesi nga institucionet për shndërrimin e zonës, që nis me mungesën e sinjalistikës informuese për ekzistencën e fshatit e deri tek mungesa e shërbimeve jetike. Në Lavdar, tani është kthyer në anekdotë ngjarja kur bashkia solli gjatë fushatës një tubacion uji dhe e mori sërish pas përfundimit të zgjedhjeve dy vjet më parë.

Rovena Kallço

“Lavdari është shumë pranë Korçës, që ka nisur një tjetër epokë të ndritur, atë të turizmit. Është koha që dhe ju të bëheni pjesë e këtij poli. Në rast se lidhim mirë Voskopojën me Lavdarin, atëherë të dyja do të kthehen në një vend të rëndësishëm turistik”- deklaroi Niko Peleshi, deputet i qarkut Korçë para banorëve të fshatit Lavdar më 9 prill 2021.

Kur kanë kaluar dy vjet nga ky premtim për shndërrimin e fshatit Lavdar në destinacion turistik ne vendosëm të bëjmë një verifikim. 

Fillimisht kërkuam një koment nga zoti Peleshi përmes WhatsApp, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm një përgjigje. 

Mesazhi në WhatsApp dërguar deputetit të Korçës Niko Peleshi, 21 shkurt 2023

Në fillim të muajit mars, 2023 ne udhëtuam drejt Lavdarit për të parë nga afër se çfarë ndodh në këtë fshat dhe cilat janë mundësitë që ofron si një vend turistik.

Fshati është rreth 14 kilometra larg Korçës dhe 6 kilometra larg fshatit Voskopojë, por për një turist apo individ që nuk është nga kjo zonë, mungon informacioni apo tabela se ku gjendet Lavdari.

Në Korçë në rrugën Desaretët që të çon drejt Lavdarit, ky emër nuk figuron fare. Aty gjenden vetëm tabelat për Voskopojë dhe Voskop.

Sinjalistika në Korçë, ku mungon emri i fshatit Lavdar

Emri i fshatit shfaqet vetëm në hyrje të tij, pasi ke lënë mbrapa Voskopin. Në dy tabela shfaqet Gjonomadhi dhe Lavdari. I pari, sipas asaj që tregojnë banorët është fshati i ri ndërsa i dyti, Lavdari është fshati i vjetër nga janë zhvendosur banorët vite më parë.

Shtëpi në fshatin Lavdar i Vjetër

Gjatë udhëtimit shihet se përveç çakullimit nuk ka as sinjalistikë dhe as ndriçim. Sa më shumë i afrohesh fshatit aq më shumë kupton se veç natyrës e ajrit të pastër zona nuk ofron shërbime publike, aq më pak turistike. 

Pjesa më e madhe e popullsisë së Lavdarit ka emigruar jashtë vendit, pjesa tjetër është shpërngulur në fshatrat përreth apo në qytetin e Korçës. Të tjerët janë zhvendosur në zonën midis Voskopojës dhe fshatit Gjonomadh, (Lavdari i Ri), ku jetojnë rreth 30 familje.

Lavdari i Vjetër dikur ka patur rreth 460 familje, sot ka vetëm tri ku në dy prej tyre jetojnë persona me probleme të shëndetit mendor dhe tek tjetra një çift pensionistësh. Mjafton të përshkosh këtë zonë për të kuptuar se në Lavdar, fshatin e premtuar se do kthehet në vend turistik mungojnë: rrugët, ujësjellësi, kanalizimiet, qendra shëndetësore, tregu e aq më pak dyqanet.

Në një artikull të publikuar para 5 viteve nga Porta Vendore, paraqitet e njëjta situatë me ndryshimin e vetëm se  Lavdari i Vjetër i 2018-s kishte rreth 40 familje, kurse sot ka vetëm 3.

Foto panormaike e Lavdarit të Vjetër

Në Lavdarin e Ri numërohen jo më shumë se 30 familje. Megjithëse të prirur për një jetesë më të mirë, edhe këtu banorët përballen me një sërë vështirësish. Në mungesë të shkollës së fshatit, ata udhëtojnë çdo ditë për në Voskopojë. Edhe shërbimet e tjera, furnizimi me ushqime (përveç produkteve bujqësore) apo shërbimin shëndetësor, banorët i marrin nga Korça apo Voskopoja. Të vetmet gjëra që kanë banorët janë shtëpitë e tyre dhe një kafene e sajuar në ambjentet e një banese.

Sinan Potka, banon në fshatin Lavdar i Ri ka dy vajza, 3 dhe 5 vjeç. Të dyja ato udhëtojnë çdo ditë me furgon për të shkuar në kopshtin më të afërt që ndodhet 6 kilometra nga fshati i tyre.

“Jam shpërngulur që vitin 2003 nga Lavdari i Vjetër këtu. Ikëm se pikë së pari nuk kishim rrugën. Na duhej të shkonim me kuaj deri në Voskop që pastaj të shkonim me makinë deri në Korçë.”

Rruga e fshatit Lavdar i Ri, mars 2023

Por edhe sot banorët udhëtojnë me linjën e fshatit Gjonomadh, pasi nuk kanë linjën e tyre që t’i çojë deri në qytet apo në fshatrat e tjerë.

Banorët e sigurojnë jetesën duke u marrë kryesisht me bujqësi dhe blegtori, me forcat e veta.

“Unë merrem me bujqësi, por edhe bujqësia është copë-copë. Kanalizimet nuk na i hapin që të vaditim e të punojmë . Po mbijetove, mirë po s’ mbijetove punë për ty!” – thotë Sinani 31 vjeç.

Kur e pyesim se cili ka qenë investimi i fundit në këtë fshat, ai na rrëfen një episod sa qesharak, aq edhe indinjues.

“Në fshat janë 3 depo uji , por vetëm njëra prej tyre është funksionale. Para votimeve sollën markuç për të shtruar linjën e ujit, por me të mbaruar zgjedhjet erdhën e morën prapë puntorët e bashkisë !”- tregon ai.

Foto e momentit kur punëtorët e Bashkisë Korçë marrin tubacionin e ujit, në qershor 2021.(Dy muaj pas zgjedhjeve vendore).

Bashkia Korçë nga kthim-përgjigjia e kërkesës për informim konfirmon mungesën e ujit në fshat dhe se uji në Lavdar nuk administorhet nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizime Korçë.

Banorët në Lavdar kanë ujë të pishëm 24 orë kjo në sajë të mundit të tyre. Ata e kanë mundësuar vetë furnizimin me ujë për banesat e tyre duke u marrë gjithashtu edhe me monitorimin e tij.

Banorët e fshatit tregojnë për një tjetër zhgënjim në morinë e premtimeve të bëra në fushatën zgjedhore të prillit 2021.

“Para votimeve tha këtë rrugën do t‘jua bë, po ashtu edhe legalizimet. Legalizimin na i bëri, por na kushtoi. Shtëpia më e vogël pagoi rreth 600-700 mijë lekë (të vjetra). Unë që e kisha shtëpinë dykatëshe pagova 1.3 milionë lekë (të vjetra),”-përfundon Sinan Potka.

Kujtim Çezmellari, banor i moshuar nga Lavdari, e siguron jetesën duke shitur fruta-perime në një tezgë buzë rrugës që të çon në Voskopojë.  Ne e takuam ndërsa punonte tokën ku mbjell atë që do shesë dhe gjatë bisedës e pyetëm se çfarë priste pas premtimit për kthimin e fshatit në zonë turistike.

“Ahh moj bijë e xhaxhait, aq dhëmbë sa më kanë rënë, aq shumë premtime kam dëgjuar nga goja e këtyre politikanëve. Dëgjojmë shumë, por shohim shumë pak.”-thotë Kujtimi.

Kujtim Çezmellari, banor në Lavdar, mars 2023

Në lidhje me premtimin për shndërrimin e fshatit Lavdar në zonë turistike i drejtuam kërkesë për informacion edhe Bashkisë Korçë dhe Ministrisë së Turizmit.

Në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit sqarohet se fshati Lavdar nuk është pjesë e listës “100 fshatrat” dhe se nuk është pjesë e ndonjë projekti aktual për ta kthyer në vend turistik.

Edhe Bashkia Korçë konfirmon se deri më tani nuk ka ndonjë projekt për kthimin e Lavdarit në fshat turistik. Megjithatë në përgjigje renditen disa ndërhyrje si: ndërtimi i një muri mbajtës në Lavdar të Vjetër, çakullimi dhe sistemimi i rrugës Voskop-Lavdar i Vjetër, riparimi i rrugës dhe riparimi në sheshin e fshatit.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që premtimin e Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, në datën 9 prill 2021, për shndërrimim e fshatit Lavdar në destinacion turistik dhe një sërë premtimesh të tjera pasuese t’i konsiderojmë të pambajtura.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img