BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE ricikluar video e përleshjes së zjarrfikësve me policinë franceze

E ricikluar video e përleshjes së zjarrfikësve me policinë franceze

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ku aludohet se ka pasur një përplasje mes zjarrfikësve dhe policisë në Francë, janë të ricikluara. Faktoje verifikoi se video i përket vitit 2020, gjatë një proteste të zjarrfikësve, të cilët kërkonin kushte më të mira pune dhe rritje të pagesës

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale pretendohet se në valën e protestave që kanë përfshirë Francën kundër planit të presidentit francez Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit, ka pasur një përplasje mes policisë dhe zjarrfikësve.

Protestat në Francë vazhdojnë pavarësisht se edicionet e lajmeve nuk na tregojnë shumë. Interesant në videon më poshtë është se si Policët (pjesë e administratës) përplasen me zjarrfikësit (pjesë e administratës shtetërore gjithashtu). Një popull që di se përse dhe kur të protestojë për të drejtën e tij, pavarësisht rethanave”, shkruajnë ndjekësit në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Nëse do të bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet shihet që video është shpërndarë fillimisht nga agjencia franceze e lajmeve “Hors-Zone Press”, që në janar të vitit 2020.

Sipas një raporti të Reuters, përleshja e vitit 2020 shpërtheu pasi zjarrfikësit francezë po protestonin për kushtet e tyre të punës dhe kërkonin rritje pagash.

Departamenti i policisë së Parisit njoftonte asokohe se policia kishte ndërhyrë, pasi disa qindra protestues ishin shkëputur nga turma kryesore, ndërsa të tjerë ishin përpjekur të thyenin barrierat e vendosura si masë sigurie.

Pra, ndryshe nga çfarë pretendojnë përdoruesit e rrjeteve sociale, pamjet janë të ricikluara dhe janë risjellë në vëmendje duke parë zhvillimet e fundit në Francë.

Duhet të nënvizojmë se qindra mijëra protestues marshuan javët e fundit kundër planit të Macron dhe u regjistruan përleshje të dhunshme me policinë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img