Hantavirusi nuk është një prej parashikimeve të “The Simpsons”

10

Pretendimi: Seriali vizatimor “The Simpsons” parashikoi në 2012 shpërthimin e hantavirusit në anijen MV Hondius.

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë pretendime se shpërthimi i hantavirusit të Andeve në kroçierën MV Hondius në maj 2026 ishte ‘parashikuar’ nga seriali vizatimor amerikan The Simpsons.

Artikulli i referuar në komente flet për një episod të “transmetuar në vitin 2012 (Sezoni 23, Episodi 19) paraqet një skenar të ngjashëm, ku një anije turistike përfshihet nga një emergjencë biologjike dhe një virus vdekjeprurës përhapet me shpejtësi mes pasagjerëve, duke shkaktuar panik dhe masa karantine.”

Megjithatë, ky përshkrim është i pasaktë.

Episodi 19 i sezonit të 23 të The Simpsons mban titullin “Një gjë krejtësisht argëtuese që Bart nuk do ta bëjë më kurrë.” Sipas përshkrimit në Wikipedia, në këtë episod, familja Simpson shkon për pushime në një anije turistike. Duke shpresuar ta zgjasë udhëtimin, Bart shpik një histori për një pandemi që po përhapet në botën e jashtme, në përpjekje për të bindur pasagjerët dhe ekuipazhin të qëndrojnë në anije për një kohë të pacaktuar.

Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera

Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për The Hollywood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë ‘parashikime’ të supozuara nga The Simpsons.