Pakt PS-PD, SPAK-ut i hiqen “spaletat”

Kreu i SPAK nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm para Komisionit të Ligjeve.

19
foto ilustruese

Nga Sebi Alla

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK nuk do të raportojë më në Kuvend, por vetëm para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, të drejtuar aktualisht nga ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Me këtë propozim pozitë dhe opozitë u dakordësuan për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit, ku ndër çështjet që kaluan me “mirëkuptim”, ishte edhe ndryshimi në nenin 26 të dokumentit

Në pikën 7 të tij thuhet: “Në seancë plenare, institucionet kushtetuese, Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetari  Kontrollit të  Lartë të Shtetit,  paraqesin një përmbledhje të raportit jo më shumë se 10 minuta dhe më pas iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve”. 

Në këtë mënyrë nga ky nen i rregullores së mëparshme të Kuvendit është hequr vetëm raportimi i drejtuesit të SPAK. 

Ndryshimet

SPAK përfshihej në institucionet kushtetuese të cilat raportojnë në Kuvend një herë në vit mbi bazën e analizës vjetore të punës, por edhe pyetjeve që mund të ngrihen nga deputetët për çështje të ndryshme. Me ndryshimet e fundit të bëra në “rregulloren e Kuvendit”, kreu i Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar do të paraqitet dhe japë “llogari” vetëm pranë Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. 

Ky komision drejtohet nga Ulsi Manja, nënkryetar Oerd Bylykbashi, sekretare Aurora Mara dhe anëtarët Ermal Pacaj, Olsi Komici, Zegjine Çaushi, Erjona Ismaili, Aulona Bylykbashi, Gent Strazimiri, Saimir Korreshi, Arjan Ndoja, Tedi Blushi dhe Tedi Mula. 

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi tha se mazhoranca ka argumentuar se organet kushtetuese nuk raportojnë në Kuvend në vende të tjera të botës, ndërsa shtoi se, raportimet në komision mund të zhvillohen edhe me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve. 

“SPAK është parë si strukturë me ndjeshmëri të madhe dhe mund të raportojë në komision, që mund të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa Kuvendi nuk mund të jetë me dyer të mbyllura”, deklaroi ai. 

Në këtë mënyrë pyetje- përgjigjet do jenë nga një grup i vogël deputetësh duke shmangur raportimin e gjatë dhe pyetjet që mund të bëheshin në Kuvend nga çdo deputet i interesuar.  

Kush “kap” SPAK-un? 

Në dy vitet e fundit ka pasur disa tentativa nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që në kuadër të ndryshimeve ligjore, apo diskutimeve mbi kontrollin dhe nevojat e sistemit të ri të drejtësisë, të përfshihej në “llogaridhënie” para këtij komisioni edhe Prokuroria Speciale.

Në dy raste, nën drejtimin e Altin Dumanit dhe më vonë së fundmi në shkurt të këtij viti edhe nën drejtimin e Klodian Brahos, SPAK nuk pranoi të merrte pjesë në diskutime.

“Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse”, thuhej në qëndrimin e SPAK.

E njëjta linjë u ndoq edhe nga drejtuesi aktual Klodian Braho. 

Dy muaj më parë refuzuan praninë e anëtarëve të komisionit “Xhafaj” për vizitë monitorimi në këtë institucion.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme”, thuhej në qëndrimin e SPAK.

Përfundimisht komisioni “Xhafaj” nuk do të ketë akses në SPAK, por një nga institucionet e drejtësisë së re është kufizuar në raportim vetëm pranë komisionit “Manja” dhe jo në seancë të hapur Parlamentare.