Pretendimi: Elon Musk njofton një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët

Verdikti: Mungon konteksti

Të shumta janë rastet kur portal të ndryshme përdorin tituj të ekzagjeruar apo gjithëpërfshirës me qëllim rritjen e numrit të vizitorëve në faqet e tyre. Njëjtë ka ndodhur dhe me portalin “Shqipëria ime”, i cili ka publikuar një artikull në 21 dhjetor me titullin “Elon Musk jep lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët”.

Premtimi për një mundësi të madhe për të gjithë shqiptarët, duke krijuar një ndjenjë entuziazmi të përgjithshëm, ka ndikuar që lajmi të marrë mbi 204 mijë lexime në Facebook në vetëm pak orë nga publikimi i tij. Elon Musk është kthyer në një nga njerëzit më të pasur të botës falë investimeve të tij në teknologji, por së fundi edhe ndihmësi kryesor i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump duke siguruar edhe një detyre të veçantë në kabinetin e tij. Të gjithë këto arsye të forta për të besuar në entuziasmin që ngjall titulli i artikullit. 

Mirëpo, kur lexuesi klikon në titull dhe vijon më tej të lexojë artikullin mund të zbulojë se bëhet fjalë vetëm për nisjen e shërbimin të mbulimit me internet satelitor nga kompania “Starlink” e Musk e territorit të Republikës së Kosovës.

Pavarësisht se një zhvillim pozitiv, duhet theksuar se ky shërbim është bërë i mundur në territorin shqiptar prej prillit 2024, kur Musk njoftoi shqiptarët po nga platforma e zotëruar prej tij, X.

Titulli i portalit ka përdorur një format që përfshin të gjithë shqiptarët në rajon dhe kudo ku ata jetojnë me qëllim që të krijojë sa më shumë interes tek lexuesit. Shumë portale e përdorin këtë strategji si një mënyrë për të rritur numrin e klikimeve dhe për të përfituar nga rritja e audiencës edhe nëse ata nuk janë plotësisht të saktë, duke iu larguar kështu vërtetësisë së lajmit.

Starlink ka sjellë një zhvillim të ri dhe pritet me interes në shumë vende pasi përdor orbitën për të ofruar përmes satelitëve, internet që është në gjendje jo vetëm të mundësojë shpejtësi më të lartë, por edhe akses në zonat ku ka vështirësi për sigurimin e këtij shërbimi.

Për Kosovën është gjithashtu një zhvillim i mirëpritur për shkak të problematikave të mëparshme me prefiksin e komunikimeve telefonike apo përfshirjes me probematika në organizata të ndryshme ndërkombëtare.