Pretendimi: Kjo është foto e takimit të Parashqevi Simaku me djalin e saj pas 8 vitesh

Verdikti: E pavërtetë

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së publikut për shkak të historisë së saj të trishtë në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ndërsa shëndeti dhe strehimi i saj u zgjidhën me mbështetjen e fuqishme nga shqiptarët anembanë botës, vëmendja e publikut është fokusuar tashmë tek pamundësia e Simakut për të takuar djalin e saj, të larguar pas divorcit me bashkëshortin.

Duke shfrytëzuar këtë zhvillim të fundit, në rrjet kanë nisur të publikohet lajmi për një takim të Simakut me djalin e saj pas tetë vitesh ndarjeje. Në një video në një kanal shqiptar në Youtube pretendohet se publikohet edhe fotoja e këtij momenti.

Fotoja që shërben si ballinë për videon tregon këngëtaren duke përqafuar një djalë të ri duke ftuar të gjithë që të klikojnë më tej.

Në fakt, në brendësi të videos nuk ka asnjë të dhënë të mëtejshme për takimin e prezumuar dhe foton, që dukshëm është krijuar si fotomontazh. Teksti në video përsërit lajmet që qarkullojnë në internet, kryesisht bazuar mbi postimet e biznesmenit shqiptar që ka strehuar Parashqevinë, Elton Ilirjani.

Në një postim në rrjetet sociale, Ilirjani ka reaguar ndaj thashethemeve që janë përhapur në media, ku disa persona të njohur kanë sugjeruar se Parashqevi po rikthehet në qendër të vëmendjes vetëm për të fituar famë. Ai ka theksuar se këngëtarja ka vetëm një qëllim, dhe ai është të takohet me djalin e saj.

Faktoje.al ka verifikuar se e njëjta llogari në You Tube ka publikuar edhe lajme të tjera të rreme për kthimin e këngëtares në Shqipëri, duke synuar tërheqjen e klikimeve dhe rritjen e audiencës së faqes.