Pretendimi: Pirro Dhima pozon me një tabelë ku shkruan se është grek

Verdikti: Foto e manipuluar

Pirro Dhima ka krijuar gjithmonë debat në Shqipëri që prej transferimit të arritjeve të tij sportive nën ngjyrat e flamurit grek, por dhe deklaratave të tij ku anashkalohet e kaluara shqiptare. Së fundi, me përfshirjen e kandidaturës në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian, sulmet ndaj kampionit të peshëngritjes në mediat online janë bërë edhe më të ashpra.

Disa portale shqiptare (linku, linku, linku) kanë publikuar në 24 prill pjesë nga një intervistë e Pirro Dhimës në një television grek, nën titullin “Pirro Dhima denoncon grekët: Më kanë sharë duke më quajtur shqiptar!”.

Titulli intrigues për të tërhequr natyrshëm reagimin e publikut shqiptar, është shoqëruar në mënyrë të ngjashme në këto portale me një foto të katër herë kampionit olimpik të peshëngritjes, ku ai ngre një tabelë ku shkruhen në shqip fjalët “Jam grek”.

Foto e publikuar nga portalet

Një variant i kësaj fotoje është publikuar edhe nga përdorues të Facebook duke përdorur fjalor fyes ndaj tij, të lidhur me faktin që Dhima deklaron se ndjehet grek dhe jo shqiptar

Duket se kemi të bëjmë me foto të manipuluara. Nga verifikimet në motorin e kërkimit të Google Image, zbulojmë se fotot origjinale të Pirro Dhimës i përkasin një fushate publike, të quajtur ‘Kartoni i bardhë”, të promovuar në 6 prill.

Ngritja e kartonit të bardhë është një simbol ku figura të shumta publike nxisin angazhimin e të rinjve në sporte nën vizionin se sporti mund të ndihmojë për ndërtimin e një jete me vlera pozitive. Dy variantet e fotos janë publikuar në këtë ditë të fushatës në profilin X/Tëitter të Pirro Dhimës, duke u kopjuar dhe ndarë më tej të manipuluara në rrjet.

Përsa i përket titujve të portaleve për deklarimin e Dhimës “më kanë sharë duke më quajtur shqiptar”, duke nxitur komente të shumta ngative në rrjetet sociale, nevojitet të sqarohet konteksti në të cilin është thënë kjo deklaratë.

Ashtu siç shpjegohet në brendësi të artikujve, Dhima ishte i ftuar në emisionin “Action24” për të folur për fushatën e tij. Në minutën e 9:00 të videos, teksa u pyet se “a ka ndjerë racizëm në Greqi, apo është bullizuar?”, Dhima u përgjigj:

“Poooo, çdo ditë, çdo ditë. Nga mëngjesi në darkë më shajnë. Për shumë vite ndodh kjo gjë. Ende edhe sot disa trollë shkruajnë nga mëngjesi në darkë, më shajnë, më fyejnë. Më quajnë shqiptar. Unë nuk ndjehem shqiptar, s’jam ndjerë ndonjëherë shqiptar, nuk jam shqiptar”, tha ai.

“I respektoj shqiptarët, kam shokë, kam vëllezër shqiptarë. Jam rritur me ta. Flas çdo ditë me ta në telefon. Këtu në Greqi kemi shumë shqiptarë, njerëz të nderuar, familjarë që rrisin fëmijët e tyre me ndershmëri. Kanë mundur të bëjnë pasuri këtu, kanë hapur punët e tyre janë nikoqirë të nderuar. Janë punonjës të shkëlqyer. Unë dua të përmend fjalën e kryeministrit tonë (Mitsotakis) që tha në Derviçan në prani të kryeministrit shqiptar Rama: Minoriteti grek në Shqipëri, në VorioEpir dhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur në Greqi duhet të jenë urë miqësie, zhvillimi dhe mirëqenie për të dy vendet”, shtoi ai.

Artikulli paraprakPropagandë shifrat ruse për arkivolet e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë
Artikulli tjetërAutobusët elektrikë në Austri nuk karikohen me gjeneratorë nafte
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.