Pretendimi: Qindra arkivole me trupa ushtarësh të NATO-s po kthehen nga Ukraina

Verdikti: E pavërtetë

Një artikull i publikuar rishtazi në mediat shqiptare dhe ndarë më tej në rrjetin social Threads pretendon se qindra ushtarë të  NATO-s janë vrarë në Ukrainë. Ky artikull përsërit propagandën ruse se NATO është përfshirë me trupa ushtarake në luftën në Ukrainë, duke pësuar një disfatë.

Artikulli citon një raport të Ministrisë ruse të Mbrojtjes ku pretendohet se sulmet e Rusisë ndaj një fshati në Ukrainë kanë vrarë rreth 40 ushtarë që i përkasin Legjionit të Huaj Francez. Që në fillim kjo tregon një mospërputhje midis titullit dhe numrave të dhënë në artikull: 40 ushtarë përkundrejt qindra arkivoleve.

Ky artikull nuk ofron asnjë informacion tjetër ku bazohen këto numra apo pretendime të tjera për sulmet në Ukrainë.

Stacioni i lajmeve francez France 24 i ka hedhur poshtë këto pretendime. Nuk ka asnjë provë për pretendimin se NATO ka trupa në Ukrainë. NATO vetë e ka hedhur poshtë këtë pretendim, si dhe propaganda të tjera që Kremlini përdor për të justifikuar luftën në Ukrainë.

Gazetarët e France 24 i kanë gjetur origjinën këtyre pretendimeve në portale si Hal Turner Radio që shpërndajnë vetëm teori konspiracioni, dhe më pas në faqen ruse të lajmeve Pravda. Ky pretendim më pas është kopjuar nga faqe në anglisht dhe frengjisht, dhe është shpërndarë dhe në platformën Twitter. Një hulumtim i mëtejshëm i këtyre pretendimeve çon vetëm në faqe, të cilat shpërndajnë lajme të rreme. 

Këto lajme mbi përfshirjen e NATO-s në Ukrainë janë në rritje, dhe nisën të marrin dhenë pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha në shkurt të 2024 se nuk e ka përjashtuar dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë nëse Rusia thyen linjat e frontit ukrainas dhe qeveria në Kiev e bën një kërkesë të tillë. Si kundërpërgjigjje ndaj Macron dhe NATO-s, qeveria ruse ka nisur stërvitje bërthamore.

Autoritetet shqiptare përgënjeshtruan disa javë më parë shifrat e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes për mercenarë shqiptarë që luftojnë në Ukrainë.