Pretendimi: Mike Tyson mbajti mbi shpatulla pas ndeshjes flamurin palestinez

Verdikti: E gjeneruar me AI

Ndeshja e legjendës së boksit profesionist Mike Tyson dhe Jake Paul, sipas transmetuesit të saj Netflix, u ndoq live nga mbi 60 milionë familje në të gjithë botën. Duke shfrytëzuar këtë vëmendje mbi ndeshjen, që më shumë i ngjante një spektakli sesa përballjeje të mirëfilltë sportive, po qarkullon ditët e fundit në rrjet një foto e Mike Tyson duke mbajtur mbi shpatulla flamurin palestinez.  Kjo si një provë e mbështetjes së kampionit të boksit ndaj Palestinës.

Postimi i portalit lajmeshqip.al pretendon se foto me flamurin wshtw shkrepur pikwrisht pas ndeshjes historike me influencerin e rrjeteve sociale.

Nw tw vwrtetw, Tyson nuk u shfaq me njw pamje tw tillw pas ndeshjes, por nuk rezulton qw tw ketw mbajtur flamurin palestinez edhe në shfaqje të tjera publike të tij.

Disa detaje në foton e publikuar konfirmojnë se ajo nuk është realizuar të premten e kaluar në arenën e AT&T Stadium në Texas, ShBA. 

Krahasimi i fotos së publikuar me pamjet nga ndeshja e 15 nëntorit (djathtas)

Më konkretisht, në foton me flamur mungon një tatuazh në pjesën e majtë të kraharorit të Tyson, i cili është një imazh i vajzës së tij, Exodus, e cila u nda nga jeta në vititn 2009.

Gjithashtu, të mbathurat e uniformës së Tyson nuk kanë të njëjtat shkrime apo reklama, njëjtazi me litarët elastikë të podiumit ku u zhvillua ndeshja e boksit. 

Këto detajet konfimojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një foto të manipuluar apo të krijuar nga programe të Inteligjencës Artificiale.

Platformat si “It’s AI” dhe “HiveModeration.com” shërbejnë për të treguar nëse një pamje është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale apo jo.

Dhe sipas platformave, të përdorura nga kolegët tanë Hybrid.info, duket se fotoja e boksierit amerikan është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Përsa i përket qëndrimeve të mëparshme të Mike Tyson në konfliktin Izrael-Palestinë, nuk rezulton që boksieri të ketë mbajtur një qëndrim publik pro ose kundër Palestinës.

Nëntorin e kaluar u raportua se Tyson kishte marrë pjesë në një event të organizuar nga grupi i quajtur “Miqtë e IDF” (Ushtria e Izraelit) në Miami. Tyson më vonë u distancua nga ngjarja, duke sqaruar në një postim në Instagram: “I ftuar për një mbrëmje të rastësishme nga një mik, nuk isha në dijeni të mbledhjes së fondeve të organizuar dhe asnjë donacion nuk u bë nga unë apo në emrin tim.”

Ai shtoi: “Si musliman dhe njeri, unë mbështes paqen. Lutjet e mia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë me vëllezërit dhe motrat e mia.”

Në të kaluarën, Tyson është shfaqur duke mbajtur një byzylyk për të shprehur mbështetjen për Palestinën, dhe gjithashtu ka shprehur mbështetjen e tij për popullin hebre dhe ka dënuar antisemitizmin.

I pyetur nga kolegët e verifikimit të fakteve të Fullfact.org, këshilltari për mediat i Tyson, Joann Mignano, ka përgënjeshtruar gjithashtu që boksieri të jetë shprehur pro apo kundër Palestinës së fundmi.