Pretendimi: Prokuroria e Speciale e Kosovës akuzoi dy serbë për sulmin në kishën në Podujevë
Verdikti: Mungon konteksti
Lajmi se dy shtetas serbë u arrestuan nga policia e Kosovës, pasi tentuan të emërtojnë një kishë orthodokse në Podujevë me emrin “Fan Noli”, ngjall vërtet kureshtje. Një shpjegim i arsyeshëm i këtij zhvillimi të çuditshëm është fakti që dy personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës janë shqiptarë dhe jo serbë.
Një sërë mediash në Kosovë e raportuan këtë lajm të habitshëm duke u bazuar në një komunikatë të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Lapsusi për shtetësinë e dy të akuzuarve u korigjua pa vonesë, por disa media nuk e kanë ndryshuar ende këtë lajm.
Lajmi për akuzën e dy serbëve vijon ende i publikuar online
Komunikata ku përmendet nacionaliteti serb i të akuzuarëve
Sipas dosjes që kanë siguruar kolegët tanë të Kallxo.al dy të akuzuarit nga prokuroria speciale, Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli, janë shqiptarë dhe klerikë fetarë orthodoksë. Niko Bllazhde shërben në Kryekishën Kozmai në Elbasan, ndërsa Lejdi Zagalli shërben në një kishë tjetër në Elbasan.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se më 27 nëntor 2023, dy të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë hyrë pa autorizim në Kishën Shën “Arhangel Mihaili” në fshatin Rakinicë, Komuna e Podujevës, e cila është në pronësi të Kishës Ortodokse serbe. Ata hapën dyert në mënyrë të dhunshme dhe tentuan ta shpallnin objektin si Kishë me emërtim “Fan Noli”.
Veprimet e dy të akuzuarve u cilësuan si nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Ky rast ilustron rëndësinë e saktësisë dhe përgjegjësisë në raportimin mediatik. Ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës korrigjoi shpejt gabimin në komunikatën e saj, mungesa e përditësimit të lajmeve nga disa media çoi në përhapjen e informacionit të pasaktë, duke krijuar keqkuptime në opinionin publik.