Pretendimi: Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij i shërbejnë Djallit

Rate: E pavërtetë


Fushata aktuale zgjedhore për Parlamentin European ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar pas kandidimit në Greqi të dy përfaqësuesve të minoritet grek në Shqipëri, Fredi Beleri dhe Pirro Dhima.

Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale shqipfolëse po shfaqen edhe narrativat e kandidatëve të zëshëm të partive të djathta evropiane. Si pjesë e këtyre narrativave, është ndarë në rrjetin Facebook në 25 prill një video e fjalimit të eurodeputetës gjermane, Christine Anderson, e shoqëruar me diçiturën: Deputetes i hiqet fjala sapo përmend Pfizer”. Teksti në postim nuk heziton të konkludojë se “BE-ja dhe institucionet e saj (janë) në shërbim të djallit”.

Verifikimi i mëtejshëm, zbulon se fjalimi është publikuar fillimisht nga vetë eurodeputetja e partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).

AfD është një parti politike populiste e krahut të djathtë në Gjermani e njohur për euroskepticizmin e saj si dhe për kundërshtimin e emigracionit në Gjermani. E përshkruar si një parti e së djathtës ekstreme, AfD zakonisht pozicionohet në të djathtën radikale, një nëngrup i së djathtës ekstreme brenda familjes së partive politike evropiane. Gjyqësori gjerman dyshon se ky grupim është ekstremist, megjithëse nuk e kundërshton zyrtarisht demokracinë.

Në Twitter e saj të datës 23 prill znj. Anderson ka shkruajtur: “Skandal në Parlamentin e BE. Kërkova një ndryshim afatshkurtër të agjendës për të sqaruar marrëveshjet e vaksinave midis Komisionit të BE-së dhe Big Pharma. Kur them këto 3 fjalë: – Von der Leyen – Pfizer – Korrupsion, kryetarja e Parlamentit më hoqi menjëherë mikrofonin”.

Pavarësisht pakënaqësisë ndaj elitës që drejton Komisionin Evropian dhe drejtueses se seancës, eurodeputetja nuk e ka humbur ende besimin te Parlamenti Evropian, ashtu si komentuesit në rrjetet sociale. Përfaqësuesja e AfD është duke kërkuar një mandat të ri në zjedhjet e 9 qershorit për Parlamentin Evropian dhe kjo përballje në seancën e fundit të punimeve të Parlamentit ka shërbyer për të tërhequr vëmendjen e votuesve të saj gjermanë për akuzat e korruptimit ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Ursuela von der Layen, një tjetër politikaneje gjermane.

Dyshimet për shkelje të barazisë në tendera në rastin e blerjes së vaksinave Pfizer në mesin e pandemisë, u kthyen në një problem për reputacionin e presidentes së Komisionit Evropian pas nisjes së hetimeve në tetor 2022 nga Zyra e Prokurorit të BE-së (EPPO). Gjatë kësaj periudhe nuk ka ende një vendimmarrje të hetuesve dhe duket se kjo çështje nuk do të ketë zhvillime për publikun përpara zgjedhjeve evropiane për të mos ndikuar në rezultatin e votimit.

Ajo që nuk përmendet në postimet që shoqërojnë këtë ndërhyrje të eurodeputetes gjermane është fakti që pavarësisht se iu ndërpre fjala, kërkesa e saj u hodh në votim nga kryesuesja e Parlamentit Evropian.

raportin zyrtar të punimeve të parlamentit konfirmohet se kryetarja Roberta Metsola i akordoi fjalën eurodeputetes gjermane të AfD. Pasi prezantoi kërkesën e saj për mocion për të ndryshuar rendin e ditës, znj. Anderson vijoi të deklaronte akuzat për korrupsion të presidentes Von der Leyen, në lidhje me blerjen e vaksinave Pfizer gjatë pandemisë.

Në sekondën e ’50, kryesuesja Metsola njoftoi ndërprerjen e fjalës me qëllim hedhjen e kërkesës në votim. Kërkesa për mocion për ndryshimin e rendit të ditës u rrëzua me një votim në sallë të 248 eurodeputetëve kundër dhe vetëm 61 pro kësaj kërkese.

Punimet kanë vijuar sipas rendit të miratuar më parë në seancën plenare në 22-25 prill dhe prezencën e deputetëve që kërkuan mocionin për ndryshimin e agjendës.

Tabela e prezencës së eurodeputetes gjermane në seancën plenare në Strazburg

Artikulli paraprakPropaganda me prishjen e ndërtimeve në zonat e mbrojtura
Artikulli tjetërMarketing i rremë me emrin e mjekut Alimehmeti
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.