Pretendimi: Anija me sistemin HAARP u shfaq në Spanjë para përmbytjeve

Verdikti: E pavërtetë

Një nga mitet më të përhapura rreth HAARP është se ai mund të manipulojë motin, duke shkaktuar stuhi, përmbytje, ose evenimente të tjera ekstreme atmosferike.

Kjo teori komploti pa bazë shkencore është përhapur edhe përgjatë ditëve të fundit lidhur me përmbytjet e këtij fund tetori në Valencia, Spanjë, të cilat shkaktuan të paktën 214 viktima.

Mëngjesin e 3 nëntorit 2024 u publikua një postim në Facebook, sipas të cilit përmbytjet tragjike ishin shkaktuar nga një anije e mbushur me antena, që në ato ditë po shkonte drejt Valencias.

Në postim është ndarë një foto e makinave në Valencia që janë përmbi njëra-tjetrën, pasojë e përmbytjeve, gjithashtu një foto e një anijeje të quajtur “Karadeniz Powership Osman Khan”.

Verifikimet tona zbulojnë se bëhet fjalë për një lajm të pavërtetë. Onur Sultan është një central elektrik lundrues, që mund të prodhojë deri në 470 megavat elektricitet. E ndërtuar në vitin 1999, ajo është në pronësi të kompanisë Karpowership dhe lundron nën flamurin e Liberisë, një vend në Afrikën Perëndimore. Këto lloj anijesh zakonisht përdoren për të mbuluar nevojat energjetike të përkohshme të disa shteteve, njëjtazi me anijen e kontraktuar nga Shqipëria në kulmin e krizës energjitike të dimrit 2023.

Anija “Karadeniz Powership Osman Khan

Në fund të shtatorit 2024 anija ishte në La Palma, një nga Ishujt Kanarie, në jugperëndim të Marokut, mbi 2000 kilometra nga Valencia për disa kontrolle teknike, por më pas rifilloi udhëtimin e saj për në kantierin detar të kompanisë, në Turqi.

Kur ndodhën përmbytjet në Valencia, anija ishte në fakt në Detin Marmara, i cili kufizohet me Turqinë.

Historia e “antenave” si shkaktarët e përmbytjeve lidhet me teorinë e komplotit që shënjestron HAARP, programin e kërkimit auroral me frekuencë të lartë.

HAARP është një program kërkimor shkencor që ka për qëllim studimin e jonosferës, një pjesë e atmosferës që ndodhet rreth 80 deri në 650 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.

Anijet e Karpowership nuk kanë asnjë lidhje me sistemin Haarp, pasi ato shërbejnë për prodhimin e energjisë elektrike.